Gjakovë- I akuzuari për falsifikim të 100 eurove deklarohet për fajësinë

 

Ali Xërxa, i akuzuar për falsifikimin e 100 eurove nga Prokuroria e Gjakovës sërish është deklaruar i pafajshëm.

I akuzuari Xërxa, për të dytën herë tha se nuk e ndjen vetën fajtor, sepse punën e deponimeve dhe nxjerrjeve të parave e bën çdo ditë.

Prokuroria po e akuzon Ali Xërxën se në deponimin e 1000 eurove në Bankën Ekonomike në Gjakovë, prej tyre 100 euro kanë dalë të falsifikuara.

Dëshmitari Ardian Cana, arkëtar i bankës Ekonomike tregoi se bankomatin e mbushin varësisht prej nevojës.

Dëshmitari tjetër Ilir Dylatahu, si analist i kredive tha se bankomatin e kishin mbushur 3 ose 4 ditë para se të gjenden paratë e falsifikuara.

Në këtë çështje është ndërruar trupi gjykues, pasi që i akuzuar Ali Xërxa në seancën e fundit të mbajtur në muajin tetor kishte kërcënuar gjykatësin Gëzim Pozhegu.

Më pas dëshmitari Edmond Lleshi, tregoi se transaksioni i të akuzuarit Ali Xërxa kishte përfunduar me sukses dhe se nuk ka pasur asgjë të dyshimtë.

“Janë deponuar 1000 euro dhe ashtu janë pranuar, por unë përmes faileve kam vërejtur që është tentu me u deponu shuma prej 2,000 eurove, por transaksioni ka dështuar dhe mjetet në vlerë prej 1,900 eurove janë kthyer, ndërsa 100 eurove është ndalë në aparat”, deklaroi eksperti i bankës.

Ndërsa dëshmitari Dardan Hana, nipi i të akuzuarit Ali Xërxa tha se nuk dëshiron të dëshmoi në këtë rast, me arsyetimin se të akuzuarin e ka dajë.

I njëjti paraprakisht u njoftua nga gjykatësi Mentor Bajraktari, se të drejtën për mosdeklarim ia jep ligji.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Mentor Bajraktari, i ndihmuar nga anëtarët Shaqir Zika dhe Malsor Kryeziu, caktuan datën 20 dhjetor, për të dhënë mbrojtjen i akuzuari.

Kallxo.com kishte raportuar për këtë rast.

Ali Xërxa duke mos e pranuar akuzën që i vihet në barrë, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës Ali Xërxa, duke e ditur që paraja është e falsifikuar, në bankomatin e Bankës Ekonomike në Gjakovë ka deponuar shumën prej 1,000 euro dhe nga kjo shumë 100 euro kanë qenë të falsifikuara.

Aktakuza shpjegon se punëtori i Bankës pas zbrazjes së aparatit të bankomatit ka vërejtur paranë në vlerë prej 100 euro të falsifikuar dhe ka njoftuar personat zyrtarë.

 

Shënim: Që nga 27 dhjetori i vitit 2019, Ali Xërrxa është liruar nga akuza për falsifikimin e 100 eurove pasi prokurori i rastit Ali Uka është tërhequr nga ndjekja penale.