Gjykimi për falsifikim parash - 09.10.2019

Gjakovë - I akuzuari i thotë gjykatësit 'Shihemi në rrugë'

Në gjykimin për falsifikim të 100 eurove, ndaj të akuzuarit Ali Xërxa, në Gjykatën e Gjakovës sot ishte planifikuar të dëgjohej dëshmia e nipit të të akuzuarit, Dardan Hanës.

Ai tregoi se punon në Western Union, në filialin në Gjakovë, në të cilën bën tërheqje dhe transfere parash.

“Unë me dajën tim Ali Xërxa, punojmë bashkë në Western Union”, tha dëshmitari Dardan Hana.

Më pas gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Dardan Hana, i akuzuari Ali Xërxa ndërhynte në pyetje dhe kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu i bëri vërejtje të akuzuarit duke i thënë që nuk të lejohet të ndërhysh në dëshminë e dëshmitarit.

Mirëpo i njëjti revoltohet duke ju drejtuar gjyqtarit me fjalët “Ti vazhdimisht po më kërcënon mua, unë kam të drejtë të flasë dhe se nuk dua të rri në gjykim dhe kam të drejtë të ndërroj trupin gjykues”.

Ndërsa gjykatësi Gëzim Pozhegu, i tha të akuzuarit se “Këtu ka rregulla, askush nuk po të kërcënon por po të jap vërejtje sepse nuk ke te drejtë të ndërhysh te dëshmitari”.

Në anën tjetër, i akuzuari Ali Xërxa duke u larguar nga salla e gjykimit vazhdoj me fjalët drejtuar gjykatësit Pozhegu “A guxon ti mua të më kërcënosh në rrugë, nuk ta mban dhe do të shihemi në rrugë”.

Pas kësaj gjyqtari Gëzim Pozhegu, e ndërpreu gjykimin në kohë të pacaktuar.

Ndërsa prokurori Ali Uka, tha se pas sjelljes së të akuzuarit në atë mënyrë, procesverbalin e sotëm do ta konsideron si kallëzim penal dhe menjëherë do ta nis rastin për kanosje.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më për këtë rast.

Ali Xërxa duke mos e pranuar akuzën që i vihet në barrë, ishte deklaruar i pafajshëm.

https://kallxo.com/shkurt/deponon-1000-euro-ne-bankomat-prej-tyre-100-fals/

Sipas aktakuzës Ali Xërxa, duke e ditur që monedha prej 100 euro është e falsifikuar, në bankomatin e Bankës Ekonomike në Gjakovë ka deponuar shumën prej 1000 euro dhe nga kjo shumë 100 euro kanë qenë të falsifikuara.

Aktakuza shpjegon se punëtori i Bankës pas zbrazjes së aparatit të bankomatit ka vërejtur paranë në vlerë prej 100 euro të falsifikuar dhe ka njoftuar personat zyrtarë.

Gjykimi për 100 euro fals, dëshmon analisti i bankës

 

Shënim: Që nga 27 dhjetori i vitit 2019, Ali Xërxa është liruar nga akuza për falsifikimin e 100 eurove pasi prokurori i rastit Ali Uka është tërhequr nga ndjekja penale.

.