Ilustrim

Gjakovë - E keqtrajton vajzën e tij, e godet me revole fytyrës

H.R. i arrestuar si i dyshuar për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje pritet të qëndrojë 30 ditë në paraburgim. Kjo pasi Gjykata e Gjakovës e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë.

H. R. sipas Prokurorisë dyshohet se derisa ishte nën ndikimin e alkoolit e ka keqtrajtuar fizikisht vajzën e tij.

“Më 23 prill 2020 rreth orës 19:00 minuta, në shtëpinë e tij në Gjakovë, me dashje shkakton dhunë në familje duke keqtrajtuar fizikisht vajzën e tij në atë mënyrë që, i pandehuri përderisa gjendej në ndikim të alkoolit fillon të bërtas dhe ta fyej me fjalë të ndyta, e urdhëron të dëmtuarën që të dal nga shtëpia. Më pas, merr armën e tij të tipit pistoletë, futet në dhomë dhe me pjesën e poshtme të armës e godet në fytyrë – hundë vajzën e tij, duke i shkaktuar lëndime”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

H. R., dyshohet se ka kryer veprat penale, lëndim i lehtë truporë, lidhur me veprën penale të dhunë në familje dhe mbajtjes pa autorizim të armës.

Pas kërkesës së Prokurorisë, sot Gjykata e Gjakovës ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit H. R., për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.

H.R., do të qëndrojë në paraburgim deri me datën 24 maj 2020.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Gëzim Pozhegu pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Ndaj këtij paraburgimi, palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.