E kaluara kriminale e Korab Gashit, i kërkuari nga Policia për grabitjen në Suharekë

I dënuar më parë për vjedhje të rëndë që kishte kryer në një internet kafe në Prishtinë e në të cilën kishte edhe pronësi bashkë me babanë e tij, Korab Gashi tashmë po ballafaqohet edhe më një rast tjetër për të cilin organet e drejtësisë i janë vënë pas, por që i njëjti është në arrati.

Korab Gashi tashmë ka disa ditë që është në kërkim nga organet e rendit në lidhje me dyshimet se i njëjti është i përfshirë në grabitjen e armatosur në Suharekë në një argjendari si dhe për plagosjen e një zyrtari policor.

Tashmë Policia ka publikuar zyrtarisht edhe fotografinë e Gashit si dhe të dhënat e tij personale e madje ka kërkuar nga qytetarët që në rast se e shohin apo dinë për vendndodhjen ta raportojnë atë.

Grabitja e armatosur në Suharekë – Policia kërkon ndihmë për gjetjen e të dyshuarit Korab Gashi

Gashi është i njohur për vepra të tilla edhe në të kaluarën. Kjo pasi që i njëjti në vitin 2003 ka qenë në paraburgim për vjedhje të rëndë ndërsa katër vite më pas ishte dënuar për të njëjtën vepër penale.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj të dhëna nga sistemi i burgjeve në Kosovë në lidhje me qëndrimin e Korab Gashit në qendrat korrektuese.

Siç mëson KALLXO.com, Korab Gashi ishte në paraburgim nga data 15 gusht i vitit 2003 dhe kishte qëndruar në këtë masë deri më 31 dhjetor 2003.

Masën e paraburgimit ai e kishte mbajtur në burgun e Prishtinës.

Vetëm katër vite më pas, për të njëjtin rast, Gashi ishte dërguar në vuajtje të dënimit. Në bazë të të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, dënimin e kishte vuajtur nga 20 gushti i vitit 2007 deri më 27 tetor 2007.

Dënimin ai e kishte vuajtur vetëm dy muaj e më pas ishte liruar. Kjo pasi që kështu kishte vendosur Gjykata Komunale në Prishtinë në atë kohë.

Aktakuza e ngritur në tetor të vitit 2003 mori epilog dënues më 1 shkurt 2007. Trupi gjykues që kishte vendosur rreth fajësisë së Korab Gashit në atë kohë ishin Hamdi Ibrahimi, kryetar i trupit gjykues dhe gjyqtarët Hamza Shala dhe Ymer Neziri, anëtarë.

Çka thotë aktakuza e vjedhjes së rëndë e vitit 2003?

Fillimisht në këtë rast ishin të përfshirë Korab Gashi e Artan Mjeku. Të njëjtit sipas dosjes penale që ka siguruar KALLXO.com, më 19 mars të vitit 2003, pas një marrëveshje paraprake dy të dënuarit kishin hyrë brenda një lokali që shfrytëzohej si internet kafe dhe nga aty kishin marrë 15 shtëpiza, 15 tastatura të kompjuterëve vlera e të cilave ishte 9 mijë e 480 euro.

Dosja përshkruan se lokali ku u krye vepra penale ishte në pronësi të Korab Gashit dhe tre personave të tjerë mes tyre ishte edhe babai i tij.

Vepra ishte kryer në orët e hershme të 19 marsit 2003. Gjësendet dhe pajisjet e vjedhura nga lokali sipas dosjes së prokurorisë dhe gjykatës, ishin bartur nga Artan Mjeku me një kombi e më pas ishin dërguar në shtëpinë e vëllait të këtij të fundit për t’i fshehur.

Qëllimi i kësaj vjedhjeje sipas vendimit të gjykatës ishte që Korab Gashi t’ia kthente një borxh Artan Mjekut në vlerë të 1 mijë e 800 eurove.

Ndarja e pajisjeve të vjedhura ishte, 10 shtëpiza dhe 10 tastatura i takonin Artan Mjekut e Korab Gashit pjesa tjetër.

Me veprimet që ishin kryer në orët e hershme të mëngjesit të 19 marsit të vitit 2003, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte konstatuar se ishin bërë në bashkëveprim dhe kishin kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Për këtë vjedhje, Korab Gashi ishte dënuar me burgim me kohëzgjatje prej 6 muajve ndërsa Artan Mjeku ishte dënuar me 8 muaj burgim.

Për të dy, gjykata kishte thënë se në dënim do t`u llogaritej edhe koha e paraburgimit që kishin mbajtur nga 15 gushti 2003 deri më 22 tetor 2003.

Në deklaratën para gjykatësit, Korab Gashi kishte thënë se me qenë se ishte pronar në internet kafenë ku kishte kryer vjedhjen kishte investuar 1 mijë e 800 euro të cilat ia kishte marrë borxh Artan Mjekut.

Me qenë se i njëjti nuk kishte mundësi t’ia kthente borxhin Mjekut kishin shkuar në lokal në orën 3 të natës kishin hapur derën dhe kishin marrë pajisjet teknologjike për t’ia larë borxhin shokut të tij me të cilin ishte i bashkakuzuar për këtë ngjarje.

Si lidhet Korab Gashi me grabitjen në Suharekë dhe plagosjen e policit?

Më 22 nëntor të këtij viti, një grabitje e rëndë e armatosur në të cilin u plagos një zyrtar policor ishte regjistruar orët e pasdites.

Argjendaria “Diakos” që gjendet në qendër të Suharekës, u grabit nga katër persona të cilët në mënyrë të maskuar e të armatosur kishin hyrë dhe kishin arritur që të grabisnin një pjesë të madhe të arit që gjendej në lokal.

Gjatë kohës sa ishte duke u kryer grabitja e armatosur në vendin e ngjarjes pas marrjes së një informacioni kishte shkuar një ekip e policisë e cila u sulmua, e një zyrtar policor ishte plagosur.

Ekipe të ndryshme të Policisë së Kosovës u panë po atë natë për orë të tëra në argjendarinë “Diakos” e që për qëllim të këqyrjes së vendit të ngjarjes u rrethua edhe perimetri i sigurisë.

Për shkak të sulmit ndaj policisë, ekipet e njësisë së qenve K9 por edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese u panë në vendin e ngjarjes.

Madje në po të njëjtën natë u aktivizua edhe “unaza e çeliktë” e cila kishte për qëllim vendosjen e njësive policore në pika të ndryshme për të kontrolluar për veturën dhe të dyshuarit.

Për dy ditë nuk pati asnjë informacion për grabitjen në Suharekë, përveç faktit se prokuroria në natën kritike kishte konfirmuar se targat e veturës ishin të vjedhura.

Më 24 nëntor, Prokuroria Themelore në Prizren kishte konfirmuar për KALLXO.com se kishin gjetur veturën e cila dyshohej se ishte përdorur në rast. Vetura e gjetur ishte e dëmtuar për shkak se ishte hedhur në një humnerë.

Hetimet intensive në lidhje me këtë rast vazhduan edhe më tutje për të marrë kthesë të rëndësishme vetëm një ditë pasi u gjet vetura e dyshuar.

Dy persona ishin arrestuar më 25 nëntor, të dyshuarit A. B., dhe F. T., ishin dërguar në paraburgim për këtë ngjarje më 26 nëntor.

Vetëm katër ditë më pas ngjarje të reja u shënuan për këtë rast. Sërish pati të shtëna armësh. Një nga personat e dyshuar për këtë grabitje ishte vrarë ndërsa një polic ishte plagosur e dy të tjerë ishin lënduar.

Njoftimi zyrtar i Policisë së Kosovës më 30 nëntor 2023 konfirmoi se si rezultat i hetimeve kishin arritur që të identifikonin persona të tjerë të përfshirë në rast dhe kishin ndërmarrë disa aksione në po të njëjtën ditë në lokacione të ndryshme, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe fshatin Carralevë të Shtimes.

“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor”- njoftoi Policia e Kosovës më 30 nëntor 2023.

Sipas tyre, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar.

“Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”- kishte njoftuar policia tutje ndërsa i kërkuari ishte Korab Gashi.

Policia në njoftimin e 30 nëntorit kishte thënë se personat e dyshuar për rastin e grabitjes në Suharekë që ishin identifikuar nga policia kishin edhe të kaluar kriminale për vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim dhe armëmbajtje pa leje.

Në njoftimin e fundit të Policisë së Kosovës i cili është publikuar dje (13.12.2023), të njëjtit kanë bërë publike tashmë zyrtarisht se Korab Gashi është në kërkim dhe se ndaj të njëjtit është lëshuar një urdhërarrest.

Në njoftim nuk përmendet saktë se cili ka qenë roli i Korab Gashit në grabitjen e armatosur në Suharekë dhe plagosjen e policit.

Përveç Korab Gashit që po kërkohet nga Policia, një person tjetër i cili po dyshohet se mori pjesë në këtë rast ishte edhe Bujar Basha.

Person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, e që edhe brenda sistemit korrektues kishte regjistruar probleme, një prej tyre edhe arratisjen e tij në vitin 2011, kështu përshkruhet Bujar Basha në dosjen e re që ka siguruar KALLXO.com nga burime brenda sistemit të sigurisë.

Dosjen të cilat ka siguruar KALLXO.com përmendet edhe një arratisje e Bujar Bashës nga Burgu i Dubravës.

Basha ishte arratisur pasi kishte vuajtur dënim prej 9 vitesh.

Ai në vitin 2002 ishte dënuar me 15 vite e 10 muaj burg. Nga ky dënim kishte mbajtur 9 vite e më pas kishte kryer arratisjen.

Basha është i njohur për sistemin e drejtësisë tash e 22 vite. Basha një person 44-vjeçar aktualisht, u përballë me sistemin e drejtësisë në dhjetor të vitit 2001 fillimisht.

Në atë kohë në bazë të të dhënave që ka siguruar KALLXO.com, përgjatë kohës dhjetor 2001-janar 2002, 14 ditë ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës për veprën penale të grabitjes.

Ai ishte kapur sërish për grabitje dhe ishte dënuar me 5 vite e 2 muaj në vitin 2018. Dosja flet se ai ishte dënuar nga Gjykata, ishte dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, e më pas ishte transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz për shkak të rrezikshmërisë së tij.44-vjeçarit në total I ishin shqiptuar dënime prej 21 viteve, prej të cilave ka mbajtur dënim në burgjet e Kosovës 14 vite, 2 muaj e 14 ditë ndërsa ishte në arrati për 7 vite.

Basha është liruar në shtator të këtij viti nga dënimi i fundit të cilit I ishte shqiptuar në vitin 2018. Më saktësisht ai u lirua më 14 shtator 2023.

Basha është njëri nga të arrestuarit për grabitjen e armatosur në argjendarinë në Suharekë.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK