E akuzuara pranon fajin për falsifikim të rezultateve në zgjedhjet lokale të 2017-ës në Rahovec

Flutra Beqiri, e akuzuar për falsifikim të rezultateve të votimeve, e ka pranuar fajin për akuzën që i vihet në barrë.

Prokuroria pretendon se Beqiri si Kryesuese e Komisionit Zgjedhor, kishte keqpërdorur pozitës e saj duke shënuar rezultate të pasakta.

Ajo tha se është penduar për këtë vepër penale dhe e njëjta premtoi se nuk do të kryej më vepra të tilla.

Këtë pranim të akuzës, prokurori Ramiz Buzhala nuk e kundërshtoi, pasi që ky pranim i fajësisë u bë në mënyrë të vullnetshme e pa presion.

Gjykatësi Drilon Haraçia, caktoi ditën e nesërme për shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, në tetor të vitit 2017, në shkollën fillore “Isa Boletini” në Rahovec pas mbylljes së vendvotimeve ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara në cilësi të Kryesueses së Komisionit Zgjedhor, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë, ku brenda një subjekti politik ka hequr votat e disa kandidatëve dhe ka shënuar disa kandidatë të tjerë, duke regjistruar në mënyrë jo të saktë 158 vota, prej tyre 96 të shtuara dhe 62 vota të hequra, me ç’rast i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet lokale.