Varret e Tahir, Hasan e Enis Zemajt, të vrarë 17 vjet më parë - Foto: Arkiv

Dosja e vrasjes së Tahir Zemajt e mbuluar nga pluhuri në Prokurorinë e Pejës

Ndonëse sot kanë kaluar 17 vjet nga vrasja e komandantit të luftës çlirimtare, kolonel Tahir Zemaj, Prokuroria e Pejës ende pa risi në hetimin e këtij rasti.

Kryeprokurori i Prokurorisë se Pejës Agim Kurmehaj, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nga ana e Prokurorisë nuk ka ndonjë lëvizje që sipas tij është domethënëse për hetimin e kësaj vrasje.

Tahir Zemaj ishte vrarë në pritë në orët e hershme të mëngjesit të 4 janarit 2003 kur vetura e tij ishte goditur nga një breshëri plumbash duke ia marrë jetën Tahirit, të birit të tij Enisit dhe kushëririt të tij, Hasanit.

Në shkurt të vitit 2017, kryeprokurori i Prokurorisë se Pejës, Agim Kurmehaj për emisionin Drejtësia në Kosovë pati thënë se ai tash si kryeprokuror ka mundësi që të ketë qasje direkte bashkë me prokurorin e rastit për të parë se deri ku ka shkuar hetimi për vrasjen e Zemajt.

“Do të merrem me veprime konkrete, do ta shohim lëndën komplet. Tash meqenëse jam në cilësinë e kryeprokurorit e kam mundësinë që për secilën lëndë të përkujdesem personalisht edhe me prokurorin i cili e ka atë çështje, që të koordinohem se cilat veprime janë të arsyeshme që të ndërmerren dhe që kishin me na çu te ndonjë informatë apo drejt zgjidhjes së vet rastit”, pati thënë Kurmehaj për “Drejtësia në Kosovë”.

Kurmehaj: Vrasja e Tahir Zemajt-Flasim Pas Disa Muajsh

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar Kolonel Tahir Zemajn në 17 vjetorin e vrasjes së tij.

Osmani ka shkruar se Zemaj ishte vrarë në pritë njëjtë sikurse edhe figura tjera të LDK-së. Osmani tutje ka shkruar se përgjegjësit e këtyre vrasjeve enden të lirë dhe sipas saj vazhdojnë të krijojnë pengesa që këto raste të mos zbardhen.

“17 vjet më parë, u vranë Tahir, Hasan dhe Enis Zemaj. Njëjtë sikur edhe shumë figura të tjera të Lidhjes Demokratike, ata u vranë në pritë, nga kriminelë qyqarë të cilët nuk e donin Kosovën. Enisi i kishte vetëm 18 vjet”, ka shkruar ajo.

 

“Vrasësit e urdhërdhënësit janë akoma të lirë dhe sot, si asnjëherë më parë, vazhdojnë të krijojnë pengesa drejt zbardhjes së krimeve të pasluftës dhe pengesa ndaj përpjekjeve që mund të jenë shpresa e fundit për drejtësi”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.

 

Vjosa Osmani: Urdhërdhënësit dhe vrasësit e Tahir Zemajt enden të lirë

 

Tahir Zemaj ishte vrarë në një moment prite në orët e hershme të mëngjesit të 4 janarit 2003 kur vetura e tij ishte goditur nga një breshëri plumbash duke ia marrë jetën Tahirit, të birit të tij Enisit dhe kushëririt të tij, Hasanit.