Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Skandali me dënimin e përdhunuesit të 15 vjeçares, reagon Kryeprokurori i Shtetit

Kallxo.com ka raportuar sot gjatë ditës se dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim për personin që dhunoi 15 vjeçaren në Gjakovë nuk mund të rritet, pasi prokurorja e rastit nuk ka parashtruar ankesë, dhe kështu vendimi ka marrë formën e plotfuqishme.

Në këto rrethana kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga kryeprokurori i Prokurorisë në Pejë, Agim Kurmehaj që pas rishqyrtimit të kësaj lënde të ndërmarrë veprimet e nevojshme disiplinore ndaj prokurores së rastit, Lirije Morina.

“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale PP.nr. 68/12 të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në njoftimin për media të zyrës se kryeprokurorit të shtetit.

Sipas aktgjykimit të cilin e ka siguruar KALLXO.com, figuron se në fjalën përfundimtare prokurorja Morina nuk ka propozuar që të merret parasysh asnjë rrethanë rënduese, përderisa ka kërkuar nga Gjykata që të ketë parasysh një mori rrethanash lehtësuese.

“Pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, mbetëm në tërësi pranë akuzës dhe kualifikimit juridik dhe propozoj që i njëjti të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit. I propozoj gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit t`i merren parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit si, pranimi i fajësisë, koha e kryerjes së veprës penale pasi kanë kaluar gati 10 vite, rrethana se i akuzuari ka qenë madhor i ri, deklarimi i të dëmtuarës se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime”, përshkruhet në aktgjykim.

Aktgjykimi me dënimin prej 8 muaj e 8 ditë tashmë ka marrë formën e prerë pasi asnjëra nga palët nuk ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Thellohet Skandali – Prokuroria u pajtua me dënimin 8 muajsh ndaj dhunuesit të 15 vjeçares

Skandal – Gjykata e Pejës e dënon me vetëm 8 muaj burg dhunuesin e 15 vjeçares