Skandali me dënimin e të akuzuarit për përdhunimin e 15-vjeçares, reagon kryeprokurori i Pejës

Kallxo.com ka raportuar sot gjatë ditës se dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim për personin që akuzohet se dhunoi 15-vjeçaren në Gjakovë nuk mund të rritet pasi prokurorja e rastit nuk ka parashtruar ankesë dhe kështu vendimi ka marrë formën e plotfuqishme.

Pas reagimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili kërkoi nga kryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj, që ta rishqyrtojë lëndën në fjalë, ky i fundit ka filluar veprimet procedurale ndaj prokurores që është bartëse e lëndës.

“Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, pas koordinimit me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kërkesës së  tij, për shqyrtimin e këtij rasti, menjëherë janë ndërmarrë veprimet e para procedurale për gjetjet e shkeljeve disiplinore apo ndonjë shkelje tjetër eventuale nga bartësi i kësaj lënde. Pas përfundimit të gjitha procedurave dhe gjetjeve nga autoriteti kompetent, do vendoset konform ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve​”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë së Pejës.

Sipas aktgjykimit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, figuron se në fjalën përfundimtare prokurorja Lirije Morina nuk ka propozuar që të merret parasysh asnjë rrethanë rënduese, përderisa ka kërkuar nga Gjykata që të ketë parasysh një mori rrethanash lehtësuese.

“Pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, mbetëm në tërësi pranë akuzës dhe kualifikimit juridik dhe propozoj që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. I propozoj Gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit t`i merren parasysh rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të akuzuarit si pranimi i fajësisë, koha e kryerjes së veprës penale pasi kanë kaluar gati 10 vite, rrethana se i akuzuari ka qenë madhor i ri, deklarimi i të dëmtuarës se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime”, përshkruhet në aktgjykim.

Aktgjykimi me dënimin prej 8 muaj e 8 ditë tashmë ka marrë formën e prerë pasi asnjëra nga palët nuk ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.