Foto: KALLXO.com

Kryeprokurori Kurmehaj flet për vrasjet e pasluftës në Pejë

Agim Kurmehaj, kryeprokurori i Pejës, ka folur në emisionin “Kallxo pernime” për herë të parë në lidhje me dosjet e vrasjeve të pasluftës.

Kurmehaj tha se që nga koha kur ka ardhur në krye të Prokurorisë së Pejës ka arritur që t’i kompletojë disa dosje të vrasjeve që kishin tronditur rajonin e Pejës.

“Vrasjet problematike kanë qenë premtimet e mia në mandatin e parë, hetimet kanë ndodhë. Në fillim kemi pasë shumë problem pasi dosjet kanë qenë të pakompletuara dhe na ka marrë 2 vite kohë që me i kompletu këto dosje”, tha Kurmehaj.

Ai tha se qysh në fillim i ka shënjestruar disa raste të vrasjeve dhe së bashku me prokurorët kanë arritur që t’i zbulojnë katër prej këtyre rasteve që kishin më shumë se 20 vite pa u zbuluar.

“I kemi shënjestruar disa raste dhe katër raste që janë që më shumë se 20 vite janë zbuluar. E kemi rastin e njohur si vrasje e Deçanit për të cilën personi është dënuar, e kemi një rast në Klinë ku kanë filluar hetimet mirëpo i dyshuari gjatë hetimeve ka vdekur pastaj i kemi dy raste që kanë ndodhë pas lufte në Kosovë ku njëri rast është në fazën e gjykimit, e një rast tjetër e kemi me shtetin e Gjermanisë ku kemi lypë ekstradimin”, tha Kurmehaj.

Kryeprokurori tha se ekstradimin nga Gjermania e ka kërkuar për vrasjen e cila ka ndodhur në vitin 2000 në komunën e Deçanit.

“Rasti i Deçanit, Gjermania e ka refuzu ekstradimin, ata kërkojnë që lënda të bartet atje dhe të zhvillohet gjykimi atje pasi ai tash është shtetas i Gjermanisë. Është fakt se na është refuzuar kërkesa”, tha Kurmehaj.

Ai shtoi se tani lëndën do ta dërgojë në Gjermani.

Kurmehaj tregoi edhe për sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë kompletimit të këtyre dosjeve pasi sipas tij ato nuk ishin të kompletuara.

“Dosjet nuk ishin mbajtur si duhet, s’ka pasë bashkëpunim të duhur në mes të institucioneve dhe ka ndodhur raste ku s’kanë qenë dosjet e kompletuara. I kemi sistemuar dhe i kemi kompletuar lëndët. Ne i kemi marrë informatat dhe i kemi ftu të dëmtuarit me na dhanë informata, secili prokuror është munduar të gjejë provat e duhura”, tha kryeprokurori.

Në fund Kurmehaj tha se kanë arritur që të zbulojnë edhe një vrasje në komunën e Pejës mirëpo për shkak të pandemisë prokurorët nuk kanë arritur që të shkojnë jashtë vendit dhe t’i intervistojnë të dyshuarit.