Ilustrim - Arkiv

Arrestohet përsëri një nga të dyshuarit në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

Njëri nga të dyshuarit në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan është vënë prapë në pranga të Policisë së Kosovës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj.

“Po, është njëri nga të dyshuarit për vrasje në Gllogjan, është ndalu për 48 orë”, ka thënë Kurmehaj për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se arsyeja e ndalimit është pasi i dyshuari ka kanosur dy zyrtarë policorë.

Në orët e mbrëmjes të 26 nëntorit të vitit të kaluar, tre persona kishin mbetur të vdekur dhe një ishte plagosur, nga sulmi me armë zjarri që kishte ndodhur mbi autobusin me udhëtarë në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Dy prej të vdekurve ishin nxënës, ndërsa personi i tretë ishte shoferi i autobusit.

Pas hetimeve të gjata, Prokuroria e Pejës fillimisht kishte njoftuar për arrestimin e tre të dyshuarve.

Të ndaluarit për këtë rast janë familjarë ndërmjet vete (babai dhe dy djemtë). Sipas Prokurorisë ata dyshohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ditë më pas ishte njoftuar edhe për të arrestuarin e katërt.

Vrasja e dy nxënësve që po ktheheshin në shtëpi dhe e shoferit të autobusit kishte tronditur opinionin jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.