Foto: KALLXO.com

Gjilan, dënohen me nga 13 muaj burg të akuzuarit për 15 kilogramë drogë

Gjykata e Gjilanit e ka shpallur sot aktgjykimin ndaj 3 të pandehurve, të akuzuar për posedim të 15 kilogramëve narkotikë.

Të akuzuarit Fuad Haxhiu, Afrim Rexhepi dhe Avni Neziri janë dënuar me nga 13 muaj burg dhe me nga 2.500 euro gjobë.

Në fillim të seancës është prezantuar marrëveshja e lidhur mes prokurorit dhe mbrojtësve të të akuzuarve.

Prokurori Agron Uka tha se në bazë të kërkesës së të akuzuarve për pranimin e fajësisë e kanë analizuar rastin në tërësi dhe për secilin të akuzuar veç e veç.

“Veprimet e secilit prej të akuzuarve i kemi analizuar dhe kemi ardhur në përfundim se ka bazë për të hyrë në negociata për pranimin e fajësisë. Prezent gjatë negocimit kanë qenë të akuzuarit me mbrojtësit e tyre. Jemi dakorduar që me një dënim prej 13 muaj burg dhe 2.500 euro gjobë do të arrihet qëllimi i dënimit. Këto veprime i kemi marrë në pajtim edhe me kryeprokurorin e Prokurorisë”, tha prokurori Uka.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fuad Haxhiu, avokati Edison Simani, tha se mbrojtja i pranon deponimet e Prokurorisë lidhur me Fuad Haxhiun duke konsideruar se të njëjtat janë të arsyeshme.

“Mendojmë se me një dënim si në marrëveshje do të arrihet qëllimi i dënimit sikurse kërkohet me ligj”, tha shkurt avokati Simani.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Rexhepi, avokati Amir Rudaku, tha se të gjitha rrethanat lehtësuese duhet të merren parasysh nga Gjykata.

“I propozoj Gjykatës që ta aprovojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe të shqiptojë dënimet e rekomanduara sipas saj”, tha avokati Amir Rudaku.

Lirije Kovani, avokatja e të akuzuarit Afrim Neziri, tha se pasi që i mbrojturi i saj e ka pranuar veprën e cila i vihet në barrë, mbrojtja i propozon Gjykatës që t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese që janë në favor të klientit të saj.

“I propozoj Gjykatës që ta aprovojë marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë dhe t’i shqiptojë dënimet kumulative me të cilat do të arrihet qëllimi i dënimit”, përfundoi avokatja Lirije Kovani.

Të tre të akuzuarit mbështetën fjalët e mbrojtësve të tyre lidhur me aprovimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri, tha se e pranon marrëveshjen e sjellë para Gjykatës, andaj edhe e shqiptoi dënimin sikurse në marrëveshje.

“Të akuzuarve do t’u ndërpritet masa e paraburgimit deri në fillimin e vuajtjes se dënimit të tyre”, tha shkurt gjyqtari Shaqiri.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Haxhiu, Rexhepi dhe Neziri, në muajin gusht të këtij viti kanë transportuar substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 15 kilogramë.

Tutje, sipas aktakuzës, këtë substancë të njëjtit e kishin për ta dërguar në Serbi dhe me tu afruar te pika kufitare “Dheu i Bardhë” e hedhin nga dritarja e veturës por pas kontrollit nga Policia, të njëjtit identifikohen dhe substanca konfiskohet.