
Shashivar Hoti - Kryetar i Trupit Gjykues në rastin 'Pronto' - 03.01.2020
Momenti i shpalljes së aktgjykimit në rastin 'Pronto' - VIDEO
Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’.
Gjykata e Prishtinës sot shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”: Ilhami Gashin, Xhavit Dakajn, Fatmir Shurdhajn, Sadat Gashin, Ismet Nezirajn, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziun dhe Arbenita Pajazitin.
Prokurorja Speciale Drita Hajdari e cila ka ngritur aktakuzën ndaj 11 të përfshirëve në rastin ‘Pronto’ është shprehur e zhgënjyer me vendimin e sotëm të Gjykatës.
“Jam tepër e zhgënjyer me vendimin lirues. Kryetari i trupit gjykues është dashtë së paku me dhënë arsyetim për një vendimin të tillë, sepse ligji e obligon që ta sqarojë shkurtimisht vendimin”, ka thënë prokurorja Hajdari.
Ajo ka shprehur shqetësimin se ky nuk është rasti i parë ku të fuqishmit e politikës i shmangen drejtësisë.
Prokurorja Drita Hajdari: Të fuqishmit e politikës i shpëtojnë drejtësisë
Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.
Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet e rastit “Pronto”, gjykimi kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.
Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.