Djali i Sabit Gecit arrin marrëveshje me prokurorin Special në gjykimin për fajde

 

Alban Geci, djali i ish-komandanti të UÇK-së, Sabit Geci ka arritur që të bëjë marrëveshje me Prokurorinë Speciale për njërën pikë të aktakuzës, organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, që rëndon ndaj tij. Bashkë me Gecin marrëveshje për pranimin e fajësisë për të njëjtën pikë të aktakuzës ka rritur edhe i akuzuari tjetër Ismet Salihu.

Të akuzuar përpos Alban Gecit, Lulzim Berishës, në këtë rast janë edhe Dalip Brahimit, Bujar Gërbeshit, Ismet Salihut, Rrahim Brahimit, për veprat penale krim të organizuar, organizim i skemave piramidale, bixhoz të paligjshëm dhe fajde

Prokuroria Speciale sot para gjykatës arriti marrëveshje mbi pranimin e fajësisë me të akuzuarit Alban Geci dhe Ismet Salihu.

Marrëveshja është lidhur për veprën penale organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Ndonëse për këtë vepër penale, kodi parasheh dënimin me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet, prokurori i rastit Naim Abazi rekomandoi gjykatës që ndaj Alban Gecit të shqiptohet dënimi prej 6 deri në 7 muaj.

Ndërsa për Ismet Salihun propozoi dënimin prej 6 muajve kur pasi t’i jetë llogaritur koha e kaluar në paraburgim, pjesa tjetër e dënimit prej 6 muajve t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë deri në 3 mijë euro.

Prokurori lexoi se në marrëveshje kishte propozuar edhe konfiskimin e sendeve të gjetura në lokalet dhe shtëpitë e të akuzuarve Geci dhe Salihu.

Prokurori Abazi, lidhur me kompensimin e të dëmtarëve tha se të njëjtin në Prokurori kishin deklaruar se nuk parashtrojnë kërkesën pasurore dhe nuk janë të interesuar të vazhdojnë me tutje.

Të akuzuarit Alban Geci dhe Ismet Salihu e mbështetën marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe e lutën gjykatën që të njëjtën ta aprovojë.

Gjykata pasi mori edhe deklarimin e të akuzuarve Geci dhe Salihu mori vendim me të cilin e aprovoi këtë marrëveshje.

Shpalljen e dënimit sipas kësaj marrëveshje gjykata do ta japë të mërkurën.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë me 8 maj 2019, ndaj Dalip Brahimit, Ismet Salihut dhe Bujar Gërbeshit, me qëllim të përfitimit duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare i kanë dhënë para me fajde të dëmtuarve Bejtush Zhugolli, Skender Blakçori dhe Besim Beqiri.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Bejtulla Zhugolli ka marrë nga i pandehur Dalip Brahimi shumën  në total prej 165,914.00 euro, përmes transferimit bankare.

Kurse i dëmtuari  Zhugolli në aktakuzë thuhet se më pas i kishte kthyer shumën e përgjithshme 599,000.00 euro, kurse për pjesën e mbetur të borxhit i pandehuri Dalip Brahimi i kishte marrë të dëmtuarve Bejtullah Zhugolli dhe Ilmi Zhugolli një lokal, çmimi i të cilit ishte 167,000.00 euro, tri banesa me çmim prej 146,805.00 euro, një veturë të tipit “Mercedes”, krejt kjo pasuri e cila i është marrë të dëmtuarit Bejtush Zhugollit tejkalon shumën prej 1 milion euro.

Ndërsa në aktakuzë thuhet se i pandehuri Dalip Brahimi me qëllim që të mbulonte këtë diferencë kaq të madhe të parave dhe banesave, së bashku me të dëmtuarin Bejtullah Zhugolli kishin nënshkruar një kontratë tek noteri, kinse i pandehuri Dalip Brahimi i shiste të dëmtuarit Bejtush Zhugollit parcelën në shumë prej 1,001,200.00 euro, kurse i pandehuri Ismet Salihu ishte personi i cili ushtronte ndikim tek vëllezërit Zhugolli për kthimin e mjeteve financiare.

Sipas aktakuzës të pandehurit e lartë cekur i kanë dhënë para në shuma të ndryshme të dëmtuarit Skender Blakçori me përqindje prej 5% deri në 15%, dhe në momentin kur nuk ka arritur që i dëmtuari të kthej kamatën, i pandehuri Dalip Brahimi përmes Bejtullah Zhugollit dhe një personit tjetër të quajtur Ekrem Leci, e kanë detyruar të dëmtuarin Skender Blakçorrin që të nënshkruaj kontratë për shitjen e banesës në lagjen Dardania në Prishtinë.

Aktakuza thotë se i dëmtuari Besim Beqir, kishte marrë para me fajde nga Bujar Gërbeshi, ku i pandehuri Bujar me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare për vete i kishte dhënë para me fajde viktimës Besim Beqirit, me ç’rast i kishte detyruar Besimin dhe djemtë e tij të paguajnë kamatën e kontraktuar në shumën prej 4 mije euro.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajde”. Sipas aktakuzës në kohë, vend të njëjte, në bashkëkryerje të pandehurit e lartë cekur kanë marrë dhe kanë negociuar haptas për vete shumën e dukshëm të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarve: Bejtush dhe Ilmi Zhugollit, Skender Blakqorrit dhe Jakup Blakqorrit, bashkë pronar të firmës “Besholli” në Prishtinë. Më këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Krim i Organizuar”.

Gjithnjë sipas aktakuzës i pandehuri Bujar Gërbeshi nga janari i vitit 2017 deri në dhjetor të vitit 2018 me qëllim të përfitimit duke i dhënë para me fajde të dëmtuarit Afrim Muqiqit, në atë mënyrë që i njëjti i ka përfituar me fajde iu ka dhënë të holla rreth 10,000.00 euro, ndërsa i dëmtuari Muqiqi në periudha të ndryshme kohore është detyruar që të pandehurit t`i kthej shumën prej 10-30 %, në emër të kamatës për borxhin. Më këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajde”.

I pandehuri Dalip Brahimi me datën 06.09.2015 me qëllim që vetit t`i sjell dobi pasurore, të dëmtuarin Skender Blakçori e ka goditur disa ne pjesë të ndryshme të trupit, me qëllim që të veproj në dëm të pasurisë së vet, ku i dëmtuari kishte shkuar në shtëpinë e tani të pandehurit që t’ia kërkoj lirimin e banesës, si dhe i njëjti duke e kanosur rënd të dëmtarin me fjalët “ta ruajt zoti djalin”.-Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrim”.

Sipas aktakuzës i pandehuri Lulzim Berisha nga janari i vitit 2017 deri në dhjetor të vitit 2018, e ka ndihmuar të pandehurin Bujar Gërbeshin, si në pikën II të kësaj aktakuze që të njëjtit ti sjell dobi pasurore, që vazhdimisht ka kontaktuar dhe ndërmjetësuar me të dëmtuarin Afrim Muqiqi, duke i kërkuar që i njëjti të përmbahet obligimeve që kishte ndaj tani të pandehurit Bujar Gërbeshit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë proces gjyqësor pë fajde – LINK