Dështon seanca ndaj ish drejtorit të Arsimit në Mitrovicë

Në gjykatën e Mitrovicës sot ishte paraparë të filloj gjykimi ndaj të akuzuarit Ali Bejta, tash ish drejtor në komunën e Mitrovicës, por seanca e shqyrtimit fillestar ka dështuar të mbahet.

Bejta akuzohet nga prokuroria e Mitrovicës se në mars të viti 2013 në cilësinë e drejtorit për Arsim dhe Kulturë, me dashje ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, duke i kaluar kompetencat e tij dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vetën ose personin tjetër, apo t’i shkaktoj dëm dhe t’i shkel të drejtat e personit tjetër.

I dëmtuari Gani Rama, ish profesor në shkollën e mesme “Xheladin Deda“ në Mitrovicë, sipas aktakuzës e ngarkon Bejtën për mospërfillje të rregullorës së Qeverisë, duke mos ia njohur titullin magjistër.

Kështu i pandehuri pa kurrfarë baze ligjore në kundërshtim me vendimin e qeverisë i cili thotë se “mësimdhënësit do të kenë rritje të pagave në bazë të kritereve të licencimit, pika 4 dhe 6, ku mësimdhënësit me diplomë të ciklit të dytë dhe të tretë (magjistraturë dhe doktoratë) përfitojnë ngritje në bazë të pagesë prej 35 – 47 %) dhe Udhëzimit Administrativ të cilit nuk i nënshtrohen gradat e fituara në fakultetin e mjekësisë dhe këto grada mbesin të njëjta në dy sistemet si ato para sistemit të Bolonjës dhe të sistemit të Bolonjës”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

I pandehuri Ali Bejta ia kishte zbritur pagën të dëmtuarit Gani Rama nga 82,55 në 63,68 euro, deri më 31 shkurt 2014, me ç’rast i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 1.169.16 eurove.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet”, thuhet në akuzë.

Bejta akuzohet edhe për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, pasi kishte shpallur konkurs për një vend të lirë të punës po ashtu në shkollën  e mesme të mjekësisë “Xheladin Deda” në Mitrovicë për pozitën e profesorit të farmacisë.

Sipas akuzës edhe pse tani i dëmtuari Gani Rama kishte aplikuar në atë vend pune dhe i plotësonte të gjitha kriteret për vend e punës me fakultet pesë vjeçar, në konkurs pranohet tani dëshmitari Vahedin Haxhimehmeti i cili ishte i të njëjtit profesion me diplomë fakulteti katër vjeçar dhe që ishte duke punuar në të njëjtën shkollë.

Pastaj i dëmtuari Rama kishte bërë ankesë në MASHT dhe institucionet tjera komunale.

Pas kësaj, sipas akuzës, në kundërshtim me konkursin pranon në punë të dëmtuarin Gani Rama dhe profesorin tjetër që ishte duke punuar në atë shkollë tani dëshmitarin Vahedin Haxhimehmeti, duke ua ndarë orët e mësimit të lëndëve të farmacisë të dy profesorëve.

Kështu i dëmtuari Rama kishte punuar me gjysmë norme deri me 31 shkurt 2014, dhe vlera e dëmit që i ishte shkaktuar sipas akuzës arrin shumën prej 1.190.73 eurove.

Seanca e shqyrtimit fillestar ka dështuar të mbahet pasi në seancë nuk ka qenë prezent mbrojtësi i të pandehurit avokati Ali Rexha, për të cilin gjyqtari Radosllav Markoviq ka thënë se paraprakisht përmes një shkrese kishte kërkuar nga gjykata shtyrjen e seancës, pasi me herët kishte pranuar ftesë për një seancë tjerët në Prizren.

Në gjykatë nuk ishin prezent as i pandehuri Ali Bejta dhe as prokurorja e rastit Fetije Bajrami Shala.

Andaj në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës e njëjta është shtyrë për në qershor.