Dëshmitari në gjykimin ‘Stenta 2’: Mjeku më tha është mirë me dërgu nanën në spitalin privat IMH

 

Gjykimi ndaj 39 kardiologëve, i njohur si “Stenta 2”, vazhdoi me rrëfimin e dëshmitarit Artan Haxhiaj.

‘Stenta 2’ është procesi gjyqësor kundër 39 kardiologëve të dyshuar për keqpërdorimin e detyrës lidhur me procedurën e stentimit dhe marrjen e ryshfetit.

Dëshmitari Artan Haxhiaj, fillimisht tregoi se kishte dhënë deklaratë në Polici dhe se qëndron pranë asaj deklarate.

Dëshmitari Haxhiaj, rrëfeu para gjykatës se pasi nëna e tij kishte probleme shëndetësore me zemër e kishin dërguar në spitalin e Pejës ku e kishte kontrolluar doktor Elfedin Muhaxheri.

Dëshmitari Haxhiaj tregoi se doktori Elfedin Muhaxheri i kishte thënë se është mirë me dërgu nënën në spitalin privat “IMH”.

“Doktor Elfedini në korridor të spitalit me tha mua se ‘Është mire me dërgu nanën në spitalin “IMH” pasi ka probleme me zemër’”, tha ai.

Dëshmitari tregoi se pasi ishte konsultuar dhe së bashku me motrat e tij e kishin dërguar nënën me veturë në spitalin “IMH”.

Dëshmitari tregoi se kur kishin shkuar në spitalin “IMH” kishin dalë disa motra medicinale dhe i kishin pritur dhe pasi dëshmitari i kishte treguar emrin e nënës Shiqirie Haxhiaj, ato i kishin thënë se “që po e dimë” dhe e kishin marrë nënën dhe e kanë futur brenda.

Dëshmitari Artan Haxhiaj tregoi se në spitalin “IMH” nënës së tij i kishin bërë një fotografim për të cilin kishte paguar 700 euro.

“700 euro cash i kam paguar, për fotografimin që i kanë bërë”, tha dëshmitari Haxhiaj.

Tutje dëshmitari tregoi se pasi mjekët në spitalin “IMH” kishin kontrolluar nënën e tij i ishin thënë se ajo nuk ka nevojë për vendosjen e stentës.

Pasi e kanë bërë kontrollën mjeku na kishte thënë se “nëna nuk ka nevojë për vendosjen e stentës”.

Poashtu dëshmitari tregoi se Spitali “IMH” deshi ta lirojë menjëherë nënën e tij por ai kishte këmbëngulur që nëna e tij të qëndrojë një natë në spital dhe të nesërmen e kanë marrë nga Spitali.

Dëshmitari tregoi se edhe pas kontrollës në spitalin “IMH”, vazhdimisht ishte kontrolluar të doktori Elfedin Muhaxheri, por kontrollën e kishte ndërprerë kur një herë nuk kishte mundur ta paguante kontrollën.

“Pasi nëna ime i kishte vetëm 5 euro e jo 10 sa ishte kontrolla, doktor Elfedini i kishte thënë nënës se më vjen keq nuk mund të kontrolloj”, tha dëshmitari Artan Haxhiaj.

I akuzuari Elfedin Muhaxheri, e pyeti dëshmitarin se “sa vite është kontrolluar nëna juaj te unë?”.

Dëshmitari i tha: “Më së paku 2-3 vite’’.

I pyetur nga i akuzuari Muhaxheri se a keni ndonjë vërejtje në mënyrën e kontrollës që kam bërë nënës tuaj, dëshmitari Haxhiaj deklaroi se “jo nuk kam”.

I pyetur nga i akuzuari Muhaxheri se “A ke vërejtje nëse ndonjëherë unë ju kam udhëzuar të shkoni në ndonjë spital privat”, dëshmitari Haxhiaj deklaroi se “Jo nuk kam vërejtje”.

I pyetur nga i akuzuari Muhaxheri, se “A ju kam treguar se unë kontrollën e kam 15 euro, por pasi nëna juaj ishte paciente e rregullt kontrollën e kam bërë në 10 euro?”.

Dëshmitari Haxhiaj deklaroi se “Po është e vërtetë”.

Ai gjithashtu për gjykatën tha se nuk ka kërkuar kthimin e 700 eurove në Ministrinë e Shëndetësisë, por tani në Gjykatë e konsideron vetën të dëmtuar dhe paraqet kërkesë pasurore juridike.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Elfedin Muhaxheri, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasiqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu, Luan Pozhari, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj,  Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi,  Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë,  i kanë keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.