Dëshmitari në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së kërkon 1 muaj kohë, Gjykata paralajmëron për sanksione

Pas disa shkëuptejve të seancave të mbyllura dhe pushimeve, Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur që dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë, në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të mos vazhdojë dëshminë në këtë seancë, por të hënën e ardhshme (më 16 tetor).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe pretendime për krime kundër njerëzimit.

Vendimi u mor të mërkurën nga kryetarit i trupit gjykues, Charles Smith III, i cili paraprakisht e ka paralajmëruar dëshmitarin për mundësinë e shqiptimit të sanksionit dhe ofrimit të ndihmës psikiatrike.

Por, dëshmitari i 29-të, deklaroi se i duhet një muaj kohë për të dhënë dëshminë e tij.

“E kuptoj, edhe ju duhet ta kuptoni që mua më duhet një muaj ditë kohë”-tha ai, duke paraqitur arsyetimin e tij për këtë kërkesë.

Megjithatë, trupi gjykues nuk e pranoi kërkesën e tij për një pushim të tillë të gjatë. Kjo shqetësoi dëshmitarin e mbrojtur, i cili deklaroi se nuk ka alternativë tjetër përveç burgut.

“Ju i dini masat e juaja edhe vazhdoni procesin edhe drejtoni ato, ju thashë edhe më herët, në burg edhe nuk ka tjetër, gjendja ime nuk është e mirë”- tha ai.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, argumentoi se dëshmitari duhet të mbetet në juridiksionin e kësaj gjykate, në mënyrë që të jetë në dispozicion për të kontaktuar me avokatin mbrojtës dhe për të siguruar ndihmë psikiatrike dhe të sigurisë në rast nevoje.

Paraprakisht në fillim të seancës, avokati mbështetës kishte kërkuar të bëjë një deklaratë në sallën e gjyqit, e cila vazhdoi në një seancë private.

Seanca tutje po zhvillohet me dëshmitarin tjetër të radhës në sesion privat.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.