Foto: Kallxo.com

Dëshmitari flet në gjykatë se si prona shoqërore “u falsifikua” në emër të serbit

Në gjykatën e Prishtinës është mbajtur gjykimi ndaj ish- drejtorit të drejtorisë për kadastër dhe gjeodezi Shiqeri Spahiu dhe ish shefit të sektorit për kadastër Ramush Thaqit, nën akuzat se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.

Hysen Shahini, dëshmitar i propozuar nga prokuroria, doli para gjykatës për të dhënë dëshminë e tij.

Ai deklaroi se posedon një kontratë 10 vjeçare mbi qiramarrje prej vitit 2002 me ndërmarrjen bujqësore industriale KBI. Ai tha se në këtë kontratë ka qenë bashkëqiramarrës me Murat Tërnavën.

Ai shtoi se gjitha rrugët e kishin çuar se ajo është pronë shoqërore, edhe për atë arsye të njëjtit kishin filluar të investonin dhe po ashtu kishin ngritur disa objekte.

“Në vitin 2004 vijnë disa persona në krye me Arben Bashotën dhe deklarohen se atë parcelë e kanë ble prej një serbi, atëherë kanë filluar problemet, pretendimet e grupeve te ndryshme të falsifikatorëve se nuk ka qenë veç grupi i Arbenit që ka pretendu në atë parcelë, por kanë qenë edhe grupe të tjera me të cilat ne nuk kemi pasur kontakte,” tha ai.

Dëshmitari shtoi se është përballur me frikësime në këtë çështje.

“Në 2004 Arben Bashota me një grup tjetër ka tentu me na frikësu neve pasi ne ishim në posedim faktik. Kur e ka vërejtë që nuk mundet është tërheqë, ndërkohë Komuna e Prishtinës në atë kohë ka bërë ndalesën në 2004/2005 për tjetërsimin e pronës pasi që është verifikuar se prona është e falsifikuar,” shtoi ai.

“…ka ardhë deri te një kontratë e falsifikume që e ka bërë Arben Bashota, të cilën unë e posedoj me nr.395/96, të cilën një institut në Zagreb e ka konstatuar që është e falsifikume. Me këtë numër të lëndës është një aktgjykim i këtij viti, këta vetëm e kanë marrë numrin e lëndës dhe ia kanë vendosur aktvendimit të cilin i ka vyjtë këtij zotërisë,” tha dëshmitari.

Ai më pas dha versionin e tij se si është bërë bartja e pronës së kësaj parcele.

“Me atë vendim të kësaj gjykate, Arben Bashota shkon edhe e bartë pronën në kadastër, e heq ndalesën dikur rreth viteve 2012, dhe bartet prona në emër të Arben Bashotes. Atëherë unë i kom njoftu organet në polici, në prokurori,” tha dëshmitari Hysen Shahini.

Lidhur më këtë dëshmitari shtoi se kishte qenë edhe në kadastër, dhe se e kishte njoftuar edhe Shyqeri Spahiun edhe Sylë Mekën.

“Me Shqyeriun jemi takuar para bartjes dhe pas bartjes së pronës dhe ia kam shpejgu se kjo është pronë e falsikfikume që nuk duhet m’u bartë. Ky më ka tregu që e ka një vendim të Agjencionit Kadastral të Kosovës,” shtoi më tutje dëshmitari.

Seanca e radhës u caktua më 3.3.2020. në ora 9:00.

Dosja e Prokurorisë shpjjgon se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësinë e personave zyrtarë, të akuzuarit bashkarisht kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare duke i tejkaluar ato me qëllim që të shkaktojnë dëm te tjetri.

Aktakuza thotë se Shiqeri Spahiu prej dhjetorit 2008 si Drejtor i Drejtorisë për Kadastër e Gjeodezi dhe Ramush Thaqi prej 2010 si shef i sektorit për Kadastër në Komunën e Prishtinës jashtë autorizimeve zyrtare kanë ndërruar titullarët e pronave në aparatin kadastral duke iu referuar dokumenteve të rrejshme.

Më këtë, prokuroria po i akuzon se kanë kryer veprën penale, shpërdorim të detyrës zyrtare.