Sami Lushtaku - Foto: KALLXO.com

Sami Lushtaku e quan ‘proces politik’ gjykimin e tij për arratisjen nga QKUK

Në Gjykatën e Prishtinës u mbajt seanca në të cilën 24 persona po akuzohen për rastin e arratisjes nga QKUK-ja të Sami Lushtakut në kohen kur ai po gjykohej për krime lufte.

Këtë gjykim ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, e quajti “proces politik”.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe djali i tij, Mergim Lushtaku, i cili ishte deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Gjatë seancës së sotme të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat të cilat u vihen në barrë.

Fillimisht seanca u shty për shkak se avokati i të akuzuarit Rexhep Xhota, avokati Gani Rexha, erdhi me vonesë në seancë ndonëse nuk kishte lajmëruar për një vonesë te tillë.

Pasi avokati erdhi, ndonëse me vonesë, seanca u vendos të mbahej mirëpo përsëri gjykatësi i rastit, Shashivar Hoti, tha se nuk mund të vazhdohet me fjalën hyrëse ngase mungonte Prokurorja e rastit Florije Shemolli, ndërsa si zëvendësim ishte dërguar prokurorja Habibe Salihu.

I akuzuari Sami Lushtaku gjykimin e tij e quajti edhe të pakuptimtë.

“Po më vjen keq që nuk është prezente edhe prokurorja e rastit, unë po besoj që ky gjykim nuk ka asnjë kuptim dhe kjo përndjekje që ka ndodh nga EULEX, është e pakuptimtë”, tha Lushtaku.

Foto: Kallxo.com

Aktakuzën e quajti ‘Politike’ edhe i akuzuari Ismajl Dibrani. “Aktakuza është politike dhe nuk ka bazë ligjore” tha ai.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg.

Arratisja nga QKUK, Gjykata cakton datën e seancës ndaj Sami Lushtakut