Gjykimi ndaj Enver Sekiraqa - 07.09.2021

Dëshmia e ish-drejtorit të Krimeve të Rënda të Policisë në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës

Në seancën ndaj Enver Sekiraqës të akuzuar nga Prokuroria për nxitje e vrasjes se ish-policit Triumf Riza, është dëgjuar dëshmitari Latif Merovci, nga Drejtoria për Krime të Rënda në Policinë e Kosovës.

Në fillim të seancës është bërë e ditur se dëshmia e Drita Hoxhës do të merret gjatë ditës së nesërme.

Dëshmitari Latif Merovci në fillim të seancës tha se qëndron prapa deklaratave të dhëna para trupit gjykues ndërkombëtarë më datën 20 korrik 2015, si dhe prapa deklaratave të trupit gjykues vendor më datën 13 mars 2019.

‘’Qëndroj prapa deklaratave të dhëna para këtyre dy trupave gjykues’’, është shprehur dëshmitari Latif Merovci.

Dëshmitari Merovci fillimisht ka përshkruar për përvojat e tij në Shërbimin Policor të Kosovës

“Fillimisht kam qenë polic, pastaj hetues në nivel të stacionit policor në Lipjan, pastaj hetues për krime serioze në Prishtine, udhëheqës në hetime rajonale në Prishtinë dhe kam qenë drejtor i Krimeve të rënda prej vitit 2005 në Prishtinë’’, ka thënë Merovci.

Ai po ashtu është shprehur se në momentin kur ka ndodhur rasti, ai ka qenë në punë.

Prokurori Haki Gecaj ka parashtruar pyetje në drejtim të dëshmitarit.

“A  e mbani mend se kur ka ndodhur rasti, a ka ndodhur brenda orarit zyrtar apo jashtë orarit zyrtar?’’, ka pyetur prokurori Gecaj.

Dëshmitari ka thënë se ngjarja ka ndodhur para orës 16:00.

“Vrasja ka ndodhur para orës 16:00, në orar tw rregullt edhepse ne punojmë edhe pas orës 16:00, kështu që jemi njoftuar prej qendrës operative qendrore – apo njësiti i hetimeve rajonale, apo nga radiolidhja të cilën e kemi dëgjuar’’, është shprehur dëshmitari Merovci.

Dëshmitari Merovci ka thënë se ai në momentin e vrasjes ka qenë në zyrë.

‘’Në vend ngjarje ka dal, toger Fadil Gashi së bashku me ekipin e hetueseve, ndërsa unë kam asistuar nga zyra, dhe me toger Fadil Gashin kam komunikuar përmes telefonit mbi 10-herë”, tha dëshmitari Merovci.

Prokurori Gecaj ka pyetur dëshmitarin se a është bërë e mundur të identifikohet kryesi i veprës penale.

‘’Po dihet që viktima ka qenë një zyrtar policor, a është identifikuar se kush ka qenë kryesi i mundshëm që ka kryer veprën penale?’’, pyeti Gecaj.

Lidhur më këtë dëshmitari Merovci është shprehur se: “Ekipet hetimore dhe prokurori ka qenë në vend ngjarje besoj që ata kanë më shumë informacion nga vendi i ngjarjes, mua më është thënë se kryesi i veprës penale të vrasjes ka shtënë me armë në drejtim të viktimës dhe është larguar me shpejtësi, dyshimet kanë qenë që kryesi ka dal për ta vrarë viktimën ngase nuk ka pasur asnjë konflikt verbal apo fizik në mes të kryesit të vrasjes dhe viktimës’’, ka thënë dëshmitari Latif Merovci.

Prokurori po ashtu ka parashtruar pyetjen se a ka pranuar drejtoria informatë se kush ka mundur të jetë kryesi i veprës penale, pra vrasjes.

“Përveç njësive nga vend-ngjarja, drejtoria juaj a ka pranuar ndonjë informatë nga njësitë tjera se kush mund të jetë personi i dyshuar për vrasje?’’, ka parashtruar pyetje prokurori.

Lidhur me këtë dëshmitari është shprehur se: “Udhëheqësi i ekipit hetimore në vend ngjarje, Toger Fadil Gashi, ka komunikuar edhe me njësitë tjera si të nivelit rajonal edhe ato qendror për të marrë  sa më shumë info që janë të nevojshme, besoj që ai ka komunikuar me shumë njësi, kjo është një lloj procedure standarde ku njësitë e ndryshme bartin informata te udhëheqësi i ekipit në vend ngjarje’’, ka thënë Latif Merovci.

Ai është shprehur se urdhërin për bastisje të lokalit, shtëpisë dhe objekteve përcjellëse e ka marrë nga gjyqtarja e Procedurës Paraprake, Drita Hoxha.

‘’Po e kam kërkuar, Toger Fadil Gashi më ka kontaktuar në telefon dhe nga informatat që i kam mbledhur në vend ngjarje në dakordim edhe me prokurorin Osman Mehmeti, është  vlerësuar të kryhen bastisje. Nga unë kanë kërkuar që të kontaktoj me gjyqtaren e procedurës paraprake, Drita Hoxha për të kërkuar urdhërin verbal për bastisje në lokalin e Enver Sekiraqës, shtëpinë e tij dhe disa objekte përcjellëse, dhe po ashtu edhe për disa persona të tjerë të dyshuar. Kam kontaktuar Drita Hoxhën dhe kam marr një urdhër verbal për bastisje, të njëjtin ia kam komunikuar Fadil Gashit dhe Osman Mehmetit’’, është shprehur Latif Merovci.

Seanca ka shkuar në pauzë deri në ora 13:15.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vet i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekur edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.