GETTY IMAGES

Dënimi me 750 euro për vjedhjen e një pule, ky është arsyetimi i gjykatës

Gjykata në Prizren i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me gjobë tre të akuzuar për vjedhjen e një pule në Prizren.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga KALLXO.com, në seancën fillestare të datës 16 dhjetor të vitit 2019, paraprakisht 3 të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga ana e gjykatësit Fatmir Krasniqi, të akuzuarit u dënuan me nga 250 euro gjobë secili veç e veç.

Gjykata në arsyetimin e dhënë ka vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat kanë ndikuar në lartësinë e dënimin dhe nuk ka gjetur asnjë rrethanë rënduese.

“Nga faktet që përmban aktakuza, në veprimet e të akuzuarve formohen të gjitha elementet e veprës penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë dhe për këtë gjykata te akuzuarit i shpalli fajtor dhe iu shqiptoi dënimin me gjobë si te merituar”-thuhet në arsyetim.

Prandaj, me rastin e caktimit të dënimit, Gjykata ka vërtetuar se të akuzuarit kanë kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit për veprën penale e cila iu vihet ne barrë, e që pranimi i fajit është bërë në mënyrë vullnetare.

Ndërsa, si  rrethana lehtësuese janë konsideruar pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarve, sjellja korrekte pas kryerjes së veprës penale, pendimi i thellë i tyre, të akuzuarit publikisht në sallë të gjykimit i kanë kërkuar falje të dëmtuarit, dhe me të njëjtin deklarojnë se kanë gjetur gjuhën e pajtimit dhe të mirëkuptimit, i premtojnë gjykatës se janë në gjendje t`i kompensojnë dëmin e shkaktuar, janë të pa punë, janë të gjendjes së dobët ekonomike.

“Gjykata iu shqiptoi dënimin me gjobë sepse konsideroi se me këtë masë sanksionuese do të arrihet qëllimi i dënimit, duke menduar se dënimi i shqiptuar i përgjigjet shkallës së përgjegjësisë së tyre dhe me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dënimit që në të ardhmen të jenë të kujdesshëm dhe do të përmbahen nga veprimet e tilla”, thuhet në arsyetim të gjykatës.

Për veprën penale si në dispozitiv të kësaj aktakuze, shumën prej 250 euro, të akuzuarit janë të obliguar që të paguajnë në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë të këtij aktgjykimi në të kundërt i njëjti do të zëvendësohet me dënim burgim.