Avokati Emmerson për dëshmitarin Sadik Halitjaha: Bashkëkonspirues pa aktakuzë, ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave, që janë gjetur të vdekura

Në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale ka nisur dëshminë Sadik Halitjaha, ish-zëvëndëskomandant i UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut.

Para se të fillojë dëshmia e dëshmitarit Sadik Halitjaha, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se ky dëshmitar është “bashkëkonspirues pa aktakuzë” dhe se pretendohet se i njëjti ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave që janë familjare të dëshmitarëve, e të cilat më pas janë gjetur të vdekura.

Emmerson në parashtrimin e tij deklaroi se gjatë marrjes në pyetje i njëjti tha se mund të japë informacione të cilat mund të jenë vetinkriminuese.

Sikurse mund të dini i nderuar gjykatës, ky dëshmitar citohet si atë çka në Amerikë e quani bashkëkonspirues pa aktakuzë dhe kjo shtjellohet më tej në paragrafin 155 të aktakuzës dhe shtjellohet më tej në paragrafin 329 të dosjes së gjykimit paraprak të Prokurorisë. Ajo ka të bëjë me një incidim që e keni çuar edhe më herët dhe lidhet me një pretendim që ky dëshmitar ka urdhëruar rrëmbimin e tri anëtareve të familjeve të dëshmitarëve, tri gra, të cilat më pas janë gjetur të vdekura” – deklaroi Emmerson.

Avokati Emmerson tha se meqë dëshmia e dëshmitarit mund të jetë vetinkriminuese mund ta lejojë të marrë një këshillë nga një avokat.

“Duke marrë parasysh këtë historik, këtë sfond dhe këtu sigurisht në… të paragrafit 97, paragrafi 5 të protokollit të urdhrit për zhvillimin e procesit gjyqësor të datës 25 janar… ku thuhet që gjatë seancës përgatitore, marrja në pyetje nga z.Pace duhet ta bëjë marrjen në pyetje duke marrë parasysh dëshmitarët dhe informacionet që ai mund të japë, mund të jetë vetinkriminues dhe që të lejojë që të marrë këshillim nga një avokat” – tha tutje Emmerson.

Emmerson tha se nuk e ka dëgjuar prokurorin James Pace që e ka informuar dëshmitarin se në qoftë se trajtohet ose del ndonjë çështje e cila e inkriminon, atëherë duhet të ngritet çështja te trupi gjykues.

“Duke marrë parasysh edhe praktikën e mëhershme i nderuar gjykatës dhe më konkretisht… në dëshminë e dëshmitarit  04323 ju jepni një kujtesë që të jepet një këshillim dëshmitarit që të mos japë dëshmi vetinkriminuese, përjashtim kur trupi gjykues urdhëron që të bëjë këtë gjë në përputhje me 152 dhe 3 dhe duhet informuar dëshmitari që në qoftë se trajtohet apo del në pah një çështje e tillë atëherë duhet të ngrihet kjo çështje në trupin gjykues. Nuk e dëgjova z. Pace t’ia përmendte këtë gjë, nuk e ka informuar fare dëshmitarin sa i takon dokumenteve provuese të Prokurorisë” – tha Emmerson.

Sipas tij, është e rëndësishme që t’i sqarohet dëshmitarit se cilët janë hapat që mund të ndodhin, në rast se cenohen një nga pikat e lartpërmendura.

“Parashtroj se duke e parë pozicionin e këtij dëshmitari dhe duke qenë se është ndër kryesit e përmendur me emër që janë pjesë e … që janë këtu të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, absolutisht është shumë e nevojshme si nga Prokuroria ashtu edhe nga trupi gjykues që t’i tregohet këtij dëshmitari se cilët janë hapat që mund të ndodhin në qoftë se do të cenohen një nga pikat e përmendura përpara” – tha avokati Emmerson.

Tutje, Emmerson tha që në shënimet që i ka parë nuk e ka të qartë nëse Prokuroria ia ka bërë me dije dëshmitarit që ai jo vetëm që mbetet në dyshim, por është një element shumë i rëndësishëm kundër të akuzuarve.

“Pra, e di që në shënimin një apo dy thuhet diku që dëshmitari që ka thënë se nuk e kam problem a do të dënohem apo jo, megjithatë për ne nuk është e qartë në qoftë se Prokuroria ia ka bërë me dije dëshmitarit që dëshmitari jo vetëm që mbetet nën dyshim, por është një element shumë i rëndësishëm kundër të akuzuarve, pra siç e thash më përpara thuhet që ai të jetë personi që ka kryer njërin prej krimeve që është pjesë përbërëse e aktakuzës” – tha tutje Emmerson.

Ndërsa, prokurori Pace tha se dëshmitarit i është bërë me dije por që i njëjti ka hequr dorë nga e drejta për të pasur avokat.

Aktakuza fillestare kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.