Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Arsyetimi i gjykatës për dënimin e asamblistit të PDK-së në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan, në tetor ka shpallur fajtor Këshilltarin e Asamblesë Komunale në Gjilan, nga rradhët e PDK-së, Riza Abdyli, i akuzuar nga Prokuroria për mos deklarim të pasurisë.

Gjykata të akuzuarit Abdyli, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 600 Euro.

Kujtojmë se i akuzuari Abdyli edhe në dhjetor të vitit 2019 ka pasur aktakuzë për veprën penale të njejtë dhe është gjetur fajtor nga Gjykata e Gjilanit, duke i shqiptuar dënim të njejtë sikurse këtë vit, pra dënim me gjobë në shumën prej 600 euro.

Në aktgjykimin e datës 13 tetor 2021, ndër të tjera thuhet se gjykata, pas dëgjimit të deklaratave të palëve lidhur me dënimin, ka shpallur fajtor të akuzuarin Riza Abdyli për shkak të veprës penale mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, ngase veprimet e të njëjtit i përmbajnë të gjitha tiparet e veprës penale dhe se për të njëjtën është dhe penalisht përgjegjës.

Tutje në aktgjykim thuhet se dënimi i shqiptuar ndaj të pandehurit Abdyli është dënim i drejtë dhe në harmoni me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit.

Gjyqtari, me rastin e shqiptimit të dënimit, ka vlerësuar se duhet të pranohet pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Riza Abdyli dhe të njëjtit ti shqiptohet dënim si në dispozitiv të aktgjykimit, ngase duke parasysh të gjitha rrethanat dhe provat ky dënim do të jetë dënim i drejtë dhe në harmoni me peshën e veprës penale.

Tutje, në aktgjykim, thuhet se për të akuzuarin Riza Abdyli si rrethanë lehtësuese është vlerësuar fakti se i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, i ka premtuar Gjykates që në të ardhmen nuk do të kryej vepra tjeta penale.

Kurse si rrethana rënduese është marrë për bazë rrezikshmëria shoqërore e kësaj vepre penale dhe përgjegjësina penale e të akuzuarit.

Sipas Prokurorisë Riza Abdyli, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik – këshilltar i Asamblesë Komunale në Gjilan, duke qenë i detyruar me ligj të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare për vitin 2019 dhe atë brenda periudhës kohore prej datës 01.03.2020 e deri më datë 31.03.2020 dhe afatin e shtyer për shkak të pandemisë deri më datë 19.06.2020, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e pandemisë Covid 19.

Tutje sipas Prokurorisë, përkundër faktit që i akuzuari me kohë ka qenë i informuar për obligimin të deklarimit të pasurisë sipas afatit ligjor deri më 31.03.2020 dhe afatin e shtyer deri më 19.06.2020, fare nuk e ka deklaruar pasurinë brenda këtyre afateve.