Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Arsyetimi i gjykatës për dënimin e asamblistes së AAK-së në Gjilan

Gjykata e Gjilanit, në shtator të këtij viti ka shpallur fajtore këshilltaren e Asamblesë Komunale në Gjilan nga rradhët e AAK-së, Arta Nuhiu, e akuzuar për mos deklarim të pasurisë.

Gjykata të akuzuarës Nuhiu, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën 400 euro.

Në aktgjykimin e datës 28 shtator 2021, ndër të tjera thuhet se gjyqtari, me rastin e shqiptimit të dënimit ka vlerësuar se duhet të pranohet pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuares dhe të njëjtës t`i shqiptohet dënim si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.

Tutje sipas arsyetimit të Gjykates, duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe provat, ky dënim do të jetë dënim i drejtë dhe në harmoni me peshën e veprës penale, ashtu që për të akuzuaren Arta Nuhiu si rrethanë lehtësuese ka marrë faktin se e akuzuara ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, i ka premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të kryej vepra tjera penale, ndërsa si rrethana rënduese gjykata ka marrë për bazë rrezikshmërinë shoqërore të kësaj vepre penale dhe përgjegjësinë penale të akuzuares.

Sipas Prokurorisë, Arta Nuhiu, në cilësinë e zyrtares së lartë publike, këshilltare e Ansamblesë Komunale në Gjilan, duke qenë e detyruar me Ligj të bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2020 dhe atë brenda periudhës kohore 01.03.2021 e deri me datë 31.03.2021, edhe pse e akizuara ka qenë e informuar për këtë obligim nuk e ka bërë një gjë të tillë brenda afatit.