Familja Bytyqi i bën thirrje Thaçit e Vuçiçit ta parandalojnë lirimin nga burgu të Vlastimir Gjorgjeviqit

Familja e tre vëllezërve Bytyqi të vrarë nga forcat serbe pas përfundimit të luftës, para disa ditëve ka filluar një fushatë si thirrje për kundërshtimin e lirimit të parakohshëm nga burgu të të dënuarit për krime lufte, Vlastimir Gjorgjeviq.

Përmes një letre drejtuar kryetarit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, familja Bytyqi para disa ditëve i kanë kërkuar këtij Tribunali që ta refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

Por familja Bytyqi nuk është ndaluar me kaq, pasi që përmes një letre tjetër, tash i është drejtuar Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nga të cilët po kërkon që të bllokojnë lirimin e Vlastimir Gjorgjeviqit.

Gjorgjeviq është i dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, për krime kundër njerëzimit si dhe shkeljen e ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë.

Gjorgjeviqit fillimisht Tribunali i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm, më pas dënimi iu zvogëlua në 27 vjet burg, e së fundmi dënimi i është reduktuar në 18 vite burgim.

Ndërsa tani Vlastimir Gjorgjeviq, i dënuar për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, po kërkon lirim të parakohshëm nga burgu, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.

Por lirimin e tij po e kundërshton fuqishëm familja e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit (shqiptarë me shtetësi amerikane), të vrarë në Serbi gjatë vitit 1999.

Ilir Bytyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit, përmes letrës thotë se Vlastimir Gjorgjeviq është personi përgjegjës për vrasjen e tre vëllezërve të tij.

Sipas Ilir Bytyqit ishte Gjorgjeviqi që kishte urdhëruar rrëmbimin dhe më pas edhe gropimin e tyre në një varrezë masive së bashku me 75 persona të tjerë.

Fatos e Ilir Bytyqi përmes letrës së drejtuar presidenteve të Kosovës dhe Serbisë, i kanë informuar presidentët Thaçi dhe Vuçië lidhur me fushatën e tyre dhe nga të njëjtit kanë kërkuar që të reagojnë për të parandaluar miratimin e kërkesës së Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

“Për shumë vite, Presidenti Vuçiq më ka premtuar mua dhe familjen time se ai do të zgjidhë vrasjet e vëllezërve të mi.  Ai mund të filloj ti tregojë botës se është njeri i fjalës duke ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rastin e Vlastimir Gjorgjeviqit. Historia është duke parë”, është shprehur Fatos Bytyqi.

Ndërsa Ilir Bytyqi ka thënë se kjo është mundësi unike për Kosovën që të ndërmarrë veprime konkrete për t’i përmbushur premtimet për zbardhjen e rasteve të të pagjeturve.

“Ne kemi qenë të nderuar nga përpjekjet e shumta që Presidenti Thaçi dhe Qeveria e Kosovës kanë ndërmarrë për të nderuar vëllezërit tonë të rënë. Kosova tani e ka mundësinë unike për të ndërmarrë veprime konkrete për të përmbushur premtimt e vërteta të paqes dhe drejtësisë për familjen tonë dhe familjet e të zhdukurve. Ne ju nxisim që të veproni me shpejtësi”, thotë Ilir Byqtyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit (tre vëllezërve të vrarë në Serbi gjatë vitit 1999).

Përpos kësaj letre, familja Bytyqi ka filluar edhe iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion kundër lirimit të parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

“ICTY: Mbaje Vlastimir Gjorgjeviq në Burg” quhet iniciativa e filluar nga familja Bytyqi të cilët kërkojnë përkrahjen e popullatës për të adresuar këtë peticion në Tribunal për të kundërshtuar lirimin e parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

Iniciativën për fillimin e këtij peticionin mund ta gjeni në këtë link.