Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Arrestohet personi i tretë për përleshjen në malin e Kaçanikut

Një person është arrestuar të mërkurën në Kaçanik si i dyshuar për pjesëmarrje në një përleshje që kishte ndodhur muajin e kaluar në fshatin Semaj të kësaj komune.

Më 5 mars, disa familjarë të fshatit Semaj kanë përfunduar në përleshje me një person tjetër i cili si pasojë kishte marrë lëndime trupore. Rasti dyshohet se kishte ndodhur në një mal të fshatit kur familjarët ishin duke prerë dru dhe ishin takuar me viktimën.

Dyshohet se familjarët e fshatit Semaj dhe viktima kishin pasur probleme edhe më herët,

Njëri nga personat e familjes së përfshirë në këtë incident ishte arrestuar më 5 mars si dhe tjetri dy javë pas tij. Që të dy janë vënë në masën e arrestit shtëpiak.

Ndërsa dje gjatë ditës është arrestuar edhe person i tretë i përfshirë në këtë incident ,

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori  i Ferizajt, Veton Shabani.

“Dje është arrestuar personi i tretë në këtë incident, sot kam paraqitur në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të ndaluar i cili dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë”, tha prokurori Shabani.

Ai përmendi edhe dy të dyshuarit e tjerë të përfshirë në këtë incident dhe tha se lënda ndaj tyre është ndarë sepse njëri nga të pandehurit dyshohet për veprën penale armëmbajtje pa leje.