Arrestohet pasi voziste pa kontroll dhe e dehur

Një grua është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga ana e Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë së Rajonit të Gjilanit, dje rreth orës 16 është raportuar se një veturë po bënte vozitje të rrezikshme dhe të pakontrolluar në magjistralen Gjilan- Prishtinë, më saktësisht në fshatin Llajshec.

“Policia e Kosovës, me njësitet e trafikut rajonal kanë ndërmarr veprimet e menjëhershme ku kanë arrit ta identifikojnë dhe njëherit ta ndalojnë veturën në fjalë të cilën e drejtonte vozitësja femër, serbe, shtetase e Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje në njoftim thuhet se gruaja nën ndikim të alkoolit kishte treguar dhe sjellje të pakontrolluar dhe njëkohësisht ka fyer dhe ofenduar zyrtarët policor.

“Për shkaqe sigurie të vetë vozitëses dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik, Policia e Kosovës konform procedurave ligjore ka tërhequr automjetin nga qarkullimi rrugor, ndërsa vozitësja është dërguar në stacionin policor në Gjilan për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme ligjore”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, vozitësja edhe gjatë qëndrimit në stacion policor ku vazhduar me sjellje të njëjta dhe ka refuzuar në mënyrë kategorike t’i nënshtrohet kontrollit të alkootestit.

Policia e Kosovës lidhur me këtë rast ka njoftuar prokurorin kompetent dhe ndaj vozitëses ka shqiptuar gjobë.