Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Aktakuza: Axha e rrahu me grushte e shqelma mbesën për ca kokrra kajsi

Seanca gjyqësore në rastin e Enver Maliqit, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor ndaj mbesës së tij, nuk është mbajtur pasi që në Gjykatën e Mitrovicës nuk është paraqitur prokurorja Jelena Marjanoviq dhe përfaqësuesi ligjor i të dëmtuarës, Ramadan Maliqi.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës, gjyqtari Bekim Veliqi e ka shtyrë seancën për më 2 gusht.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Enver Maliqi akuzohet se e ka rrahur mbesën e tij – vajzën e vëllait, R. Maliqi, për shkak se ajo kishte marrë ca kajsi në oborrin e tij.

Rasti pretendohet të ketë ndodhur më 27 maj 2016,  në Mitrovicë.

Sipas aktakuzës, pasi e dëmtuara kishte shkuar te shtëpia e axhës, tani i akuzuari, të merrte kajsi, kur e kishte parë i akuzuari e kishte pyetur pse ke marrë kajsi pa më pyetur mua dhe në shenjë revolte e godet me boksa dhe shqelma dhe duke e tërhequr zvarrë e largon nga oborri I shtëpisë, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.