Në gjykimin për grabitje, dëshmitari tha se nuk i kishte parë fytyrën grabitësit

Naim Ahmeti u përballë sot në gjykatë me akuzat e Prokurorisë për grabitje dhe shitblerje të narkotikëve dhe grabitje. Ai po akuzohet se në pjesën veriore të Mitrovicës, u ka grabitur grave zinxhirët e arit nga qafa, dhe po ashtu i njëjti po ngarkohet me veprën penale të shitblerje të heroinës.

Gjykimi i filluar rishtazi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitari Brajan Vukiçeviq i cili dha dëshminë lidhur me pikën e dytë të akuzës.

Sipas kësaj pike më 13 qershor 2013 në rrugën “Dervari” afër shkollës së Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë, i akuzuar Ahmeti me forcë e ka kapur për fyti Nada Gjokoviqin duke i marrë zinxhirin e arit pastaj e ka shtyrë në shkallë dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Dëshmitari Brajan Vukiçeviq, sot deklaroi se Nada Gjokoviqin e njeh si kolege që kanë punuar në Komunë.

Ai tha se atë ditë në mëngjes tek shkallët e shkollës së Mjekësisë e kishte ndaluar veturën kur kishte dëgjuar një grua të bërtiste.

“Atë mëngjes te shkallët e shkollës së Mjekësisë e kam ndaluar veturën dhe e kam dëgjuar një grua që po bërtiste dhe kërkonte ndihmë”, tha ai.

Sipas dëshmitarit ai ishte larg të dëmtuarës në distancë prej rreth 50 metra, porse e kishte parë një person ta kapte një grua për fyti dhe pasi ajo kishte rënë në tokë, ai kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

“Në atë moment kam parë që një person që e ka kap atë grua për fyti dhe si ka rënë në tokë gruaja, ai ka ikur”, tha dëshmitari Vukiçeviq.

Po në fund të deklaratës së tij dëshmitari deklaroi se nuk i kishte parë fytyrën personit që e kishte rrëzuar gruan.

“Nuk i kam parë as fytyrën atij personi”, tha dëshmitari.

Seanca e radhës u caktua për datën 6 dhjetor ora 9 e 30.

Sipas aktakuzës Naim Ahmeti së bashku më një person të panjohur për prokurorinë në maj të vitit 2013 në rrugën “Anri Andria” me forcë të dëmtuarës Stojanka Stashiq derisa kishte qenë duke punuar në dyqanin e saj, i pandehuri e kishte pyetur se a ke cigare dhe pasi e njëjta ishte përgjigjur që nuk kishte cigare, i pandehuri Ahmeti i kishte marrë nga fyti zinxhirin e arit në vlerë prej rreth 200 eurove.

Ndërsa pika e dytë e akuzës thotë se i akuzuari Naim Ahmeti në qershor të 2013 në rrugën “Drvari” tek shkallët në afërsi të Shkollës së Mjekësisë me forcë të dëmtuarës Nada Gjokoviqit e ka kapur në fyt dhe i ka marrë zinxhirin e arit e më pas e ka shtyrë nga shkallët.

Pika e tretë e akuzës thotë se pasi i akuzuari Naim Ahmeti ishte shoqëruar për në stacionin Policor gjatë kontrollës atij i është gjetur narkotikë e llojit heroinë në sasi prej 0.44 gramësh të cilin e posedonte me qëllim të shitjes.