Gjatë rikonstruksionit të vendngjarjes Gjykata gjen një predhë plumbi pas 4 vjet të rastit të vrasjes

Gjykata e Mitrovicës, katër vjet pas vrasjes së Dejan Steljiq, ka gjetur në vendin e krimit një predhë të plumbit, që dyshohet të jetë shkrepur nga arma e përdorur në rast.

Ekspertiza mjekoligjore dhe balistike lidhur me këtë predhë (kokë e plumbit) e gjetur në vendngjarjen e vrasjes nga Gjykata e Mitrovicës, pritet të prezantohet në gjykimin ndaj Miqa Urosheviq, i akuzuar për vrasjen e Dejan Steljiqit.

Kjo predhë ishte gjetur gjatë rikonstruksionit të vendit të ngjarjes të udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues, Bekim Veliqi.

Në seancën e sotme gjyqësore ndaj të dyshuarit Urosheviq, u dorëzua analiza toksikologjike për konstatimin e alkoolit dhe drogave në trupin e viktimës, Dejan Steljiq.

Gjykata njoftoi se lidhur me projektilin e gjetur dhe vijat papilare mbi armën, ka kërkuar që të kryhet ekspertizë balistike nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Agjencia Kosovare për Forenzikë.

“Fillimisht duhet të analizohet ADN-ja e më pas predha”, tha gjyqtari Bekim Veliqi.

Pika e parë e aktakuzës thotë se më 27 dhjetor 2017, rreth orës 5 e 20 minuta në rrugën “Knjaz Milloshi” në Mitrovicë, i akuzuari me dashje kishte privuar nga jeta Dejan Steljiqin.

Aktakuza shpjegon se vrasja kishte ndodhur pas një fjalosjeje në mes të akuzuarit dhe viktimës.

Po sipas aktakuzës vrasja u krye me revolen “Smith&Wesson M-38” me numër serik të dëmtuar e me cilindër rrotullues.

I akuzuari ka shtënë 5 herë në drejtim të viktimës, thuhet në aktakuzë, por atë e kanë goditur katër plumba dhe atë, 3 herë në anën e majtë të kafazit të kraharorit dhe një herë në anën e majtë të barkut duke i shkaktuar vdekje në vend.

Pika e dytë e aktakuzës e ngarkon Urosheviqin për mbajtje të paligjshme të revoles “Smith&Wesson M-38” me numër serik të dëmtuar e me cilindër rrotullues.

Pika e tretë e aktakuzës thotë se i akuzuari se më 26 gusht 2014, në zyrën administrative në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë me qëllim të marrjes së letërnjoftimit të Republikës së Kosovës, ka prezantuar ekstraktin e rremë me emër të Darko Peroviqit para zyrtarit Hamdi Ademi.

Sipas aktakuzës përmes paraqitjes së përmbajtjes së rreme, i akuzuari Urosheviq me 25 maj 2015 kishte marrë letërnjoftimin e Republikës së Kosovës me emrin Darko Peroviq në qendrën civile në Zubin Potok.

Procesverbali i datës 3 korrik 2018, tregon se i akuzuari Urosheviq në Prokurori kishte dhënë deklaratë me emrin Dejan Peroviq.

KALLXO.com ka mësuar gjithashtu se Miqa Urosheviq është dënuar në Serbi me 20 vjet burgim për veprën penale të vrasjes.

Seanca e radhës në këtë çështje penale u caktua për datën 22 nëntor.