Nuk u mbajt seanca ndaj policëve të akuzuar se u bënë pjesë e një konflikti mes qytetarëve për një borxh
Në Gjykatën e Mitrovicës sot ka dështuar të mbahet seanca e gjykimit ndaj dy policëve, Nebojsha Vukojeviq dhe Sreqko Janiçijeviq, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjatë seancës së sotme ishte planifikuar të dëgjoheshin dy dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria.
Por seanca nuk ka arritur të mbahej për shkak të mungesës së kushteve ligjore.
Sipas njoftimit të kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Bekim Veliqi, prokurorja Fetije Bajrami-Shala, e cila përmes një shkrese e kishte njoftuar Gjykatën se për arsye shëndetësore nuk mund të prezantojë në këtë seancë, ishte shkak për shtyrjen e seancës.
Andaj në këto rrethana, shqyrtimi i sotëm është shtyrë për më 8 qershor 2021, ku me ftesa të rregullta do të ftoheshin prokurorja e çështjes, i dëmtuari si dhe dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria.
Sipas akuzës, të akuzuarit Vukojeviq dhe Janiçijeviq, të dy zyrtarë policorë, u bënë pjesë e një konflikti mes disa qytetarëve për një borxh. Në akuzë thuhet se Janiçijeviq dhe Vukojeviq e kishin detyruar të dëmtuarin Jugoslav Andriq që t’ia japë Dejan Velkoviqit 360 euro.
E gjithë ngjarja sipas Prokurorisë kishte ndodhur në korrik të vitit 2016 kur Andriq kishte shkuar në fshatin Drenov për të blerë dru nga personi Vladan, ndërsa aty kishte shkuar edhe Dejan Velkoviq.
Velkoviq po kërkonte nga Andriq para në shumën prej 400 euro për drurët të cilët ia kishte shitur para një viti, ndërsa Andriq ishte përgjigjur se drurët atëherë ia kishin konfiskuar Policia pasi që nuk kanë qenë të vulosura.
Prokuroria thotë se atëherë Velkoviq filloi ta kërcënojë të dëmtuarin se do ta thërrasë një person që do ta djegë kamionin e tij nëse nuk i jep paratë, ose do ta thërrasë vëllanë e tij polic për t’ia marrë paratë.
Më pastaj Dejan Velkoviq kishte thirrur në telefon policinë të cilët kishin arritur pas 10 – 15 minutave.
Gjithnjë sipas aktakuzës, njëri polic, tani i akuzuari, Nebojsha Vukojeviq e kap për dore të dëmtuarin Andriq, i cili ishte në kamion.
Vukojeviqit i ka ndihmuar edhe polici, tani i akuzuari, Sreqko Janiçijeviq, të cilët e kishin tërhequr të dëmtuarin Andriq 5 deri 6 metra duke e afruar deri te automjeti i Policisë.
Kurse duke e kërcënuar se do ta dërgonin në Gjykatë në Vushtrri, apo nuk do ta lëshonin nga vendi ku ishte, e detyrojnë Andriqin që t’ia japë paratë Dejan Velkoviqit.
E gjitha kjo sipas akuzës ishte parë nga dy dëshmitarët, Radisha Llazoviq dhe Sllobodan Pandriq, të cilët kishin qenë në kamion dhe po e vështronin ngjarjen.
Prokuroria thekson se i dëmtuari Andriq nën presionin e policëve kishte nxjerrë nga xhepi paratë në shumë prej 360 euro dhe në prezencë të tyre ia jep paratë dëshmitarit Dejan Velkoviq, ndërsa ky i fundit iu thotë policisë: “Lirojeni tani Jugosllavin”.
Më këtë prokuroria i ngarkon policët me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.