6 të arrestuarit për drogë pranojnë fajësinë, kërkojnë dënime më të lehta

Sot në bankën e të akuzuarve janë ulur 6 të pandehur për t’u ballafaquar me akuzën për posedimin e narkotikëve.

I akuzuari Dalibor Spasiq pranoi fajësinë për veprat penale shitblerje e substancave narkotike dhe falsifikim të parave.

Ndërsa të akuzuarit Gent Binxhiku, Besjan Vuçitërna, Leutrim Sokoli, Enis Dula e Besnik Hoxha pranuan fajësinë për veprën penale posedim të paautorizuar të substancave narkotike.

Pranimi i fajësisë erdhi pasi gjykatësja e rastit Nushe Kukaj Mekaj ftoi prokuroren që përfaqësoi akuzën Fitore Sadikajn të bëjë rikualifikimin ligjor të veprës penale në lidhje me të pandehurit Leutrim Sokoli, Gent Binxhiku, Besjan Vuqitërna dhe Enis Dula.

Aktakuza e përpiluar nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj, kishte gabime teknike në numra të peshës së substancave narkotike që veprën penale gabimisht e kualifikonin me dënueshmëri deri në 3 vjet burgim.

Por pas vërejtjes së gjykatëses Nushe Mekaj, prokurorja përfaqësuese Fitore Sadikaj bëri rikualifikimin e veprës penale duke thënë se se është lëshuar një gabim teknik në dispozitiv të aktakuzës për të pandehurin Leotrim Sokoli, se tek ai është një sasi prej gjetur 3 gramë substancë narkotike por nuk është shënuar se çfarë lloji i substancës është por duke iu referuar raportit të ekzaminimit të AKF, në bazë të vërtetimit për konfiskim tek i pandehuri Sokoli në dëshminë  pas ekzaminimit ka rezultuar se lloji i substancës narkotike është kanabis marihuanë që përmban tetrahidrokanabinol.

Pas kësaj, në aktakuzë u saktësua sasia prej 0.3 gram marihuanë në vend të 3 gramëve, e rrjedhimisht kjo pritet të ndikojë edhe në vendimin final të gjykatës meqë sasia nën 3 gramë e marihuanës përfshin dënim deri në 1 vit burg.

Asdren Hoxha, avokat i të akuzuarit Dalibor Spasiq, kërkoi që gjykata ta marrë parasysh pranimin e fajësisë në vendimin e vet.

“Mendoj se janë plotësuar kushtet për zbutjen e dënimit dhe shqiptimin e dënimit të kushtëzuar me të cilin do të arrihet qëllimi i dënimit”, tha Hoxha.

Edhe të akuzuarit e tjerë kërkuan nga gjykata që t’u merret si rrethanë lehtësuese fakti që për herë të parë kanë rënë ndesh me ligjin, thanë se nuk do të konsumojnë më substancë narkotike, kanë filluar të punojnë si dhe kërkuan falje për veprën e kryer e premtuan se më nuk do të kryejnë vepër penale.

Aktakuza thotë se i pandehuri Dalibor Spasiq, më 28 shkurt të këtij viti, rreth orës 20:45, në Fushë Kosovë afër mobilerisë  “Mobin” i ka shitur substancë narkotike të pandehurit Gani Binxhiku.

Tutje aktakuza thotë se Spasiq më 29 shkurt, rreth orës 20:00 në Fushë Kosovë, në rrugën “28 nëntori” në hyrje të banesës së tij u ka shitur substancë narkotike të akuzuarve Enis Dula, Besnik Hoxha, Besian Vuçitërna dhe Leutrim Sokolit, te të cilët pjesëtarët e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar substancën narkotike.

Aktakuza gjithashtu thotë se pasi policia ka bërë bastisjen e banesës së të akuzuarit Spasiq, ka gjetur dhe sekuestruar 60 qese të vogla të mbushura me amfetaminë, 22 qese të vogla të mbushura me marihuanë në peshë prej 118.9 gram, 6 qese me marihuanë me peshë prej 143.21 gram, një kuti me fara kanabis dhe një mulli.

Po ashtu të akuzuarit Spasiq i ishin gjetur edhe 2 kartëmonedha prej 50 euro të falsifikuara të cilat i kishte në mbajtje me qëllim të vënies në qarkullim.