Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Skenderaj: Burri shpallet fajtor, vrau gruan dhe baxhanakun pasi pa video-xhirimet

Xhevdet Tahiraj, i akuzuar për vrasje të gruas dhe baxhanakut, është dënuar sot nga gjykata e Mitrovicës me gjithsej 16 vjet burg

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Radoslav Markoviq i pandehuri Tahiraj për katër vepra penale me të cilat ngarkohet nga prokuroria është dënuar me dënim unik burgim 16 vjet.

Tahiraj sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë akuzohet se në dhjetor të vitit 2017 në fshatin Runik të Skenderajt kishte privuar nga jeta D.S.

I akuzuari Xhevdet Tahiraj me tashmë të vrarin D.S. kishin qenë në marrëdhënie familjare, e kishte pasur baxhanak.

Xhevdet Tahiraj sipas aktakuzës e kishte vrarë D. S. pasi që kishte parë disa video-incizime.

Sipas aktakuzës, pas kësaj Xhevdet Tahiraj kishte shkuar te shtëpia ishte pajisur me pushkë gjysmë automatike dhe e kishte thirre në telefon tashmë të vrarin D. S., duke i thënë se dëshironte ta takonte në fshatin Runik në lagjen “Sejdijaj”.

I ndjeri D.S. dhe gruaja e tij F.D. kishin dalë para dyerve të shtëpisë për ta pritur të akuzuarin Xhevdet Tahirajn, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë derisa i akuzuari ishte duke vozitur nga vetura kishte shtënë të paktën gjashtë herë në drejtim të tani të vrarit dhe gruas së tij, të cilët kishin marr plagë të shumta.

Pas kësaj me 25 janar 2018, D.S. kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Ndërsa me rastin e shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues ka bërë rikualifikimin e veprën penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje e shkaktuar në gjendje të tronditjes se fort mendore“.

Gruaja e D.S. e cila është motra e gruas së tani të akuzuarit Xhevdet Tahiraj, kishte qenë në gjendje kome, por pas trajtimit në QKUK kishte arritur që t’u mbijetonte plagëve të marra atë ditë.

Për veprën e lartcekur i pandehuri Tahiraj është dënuar me pesë vjet burgim.

Pas vrasjes se D.S. dhe plagosjes së F.S. i akuzuari kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Radishevë të Skenderajt dhe kishte privuar nga jeta gruan e tij.

Meqenëse F.S u kishte mbijetuar plagëve të marra vepra me të cilët akuzohet Tahiraj në këtë rast  kishte mbetur “Vrasje në tentativë”.

I akuzuari në shtëpinë e tij sipas dosjes së Prokurorisë kishte marrë nga dhoma e ndejës gruan e tij, tani të ndjerën F.S., kishte dalë në oborr dhe kishte shtënë në drejtim të saj të paktën katër herë.

E njëjta kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Më këtë akuzohet se ka kryer veprën penale të rikualifikuar nga trupi gjykues “ Vrasje e shkaktuar në gjendje të tronditjes së fort mendore”.

Po ashtu Xhevdet Tahiraj akuzohet edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar i armëve.

Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e armës me të cilën është kryer vepra ndërsa e ka detyruar të pandehurin që të paguaj 50 euro për fondin e viktimave.