ILUSTRIM

Ligji për Sigurime Shëndetësore mbeti vetëm në letër

Shoqata për të drejtat e pacientëve i është drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj për t`ia përkujtuar dështimin e implementimit të Ligjit për sigurime shëndetësore.

“Miratimi i këtij Ligji, ishte një shpresë për qytetarët e vendit, që pos sëmundjeve që ju kanosen, të mos kenë edhe hallin e sigurimit të mjeteve financiare për trajtimin e këtyre sëmundjeve. Por, fatkeqësisht qeveritë para jush dështuan në implementimin e këtij Ligji, gjë që përbën një shkelje kolektive të të drejtave elementare të njeriut. Veç kësaj, mos implementimi i këtij Ligji, ka bërë që reforma në shëndetësi të bllokohet, për më keq të ketë një regres prapa. Kjo nënkupton rrënimin e Sistemit të Integruar të Informimit Shëndetësor”, thuhet në letrën e tyre.

Më tutje PRAKU-u në reagim thotë se me këtë trend të përgatitjeve për implementimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, edhe ‘Qeveria Haradinaj’ nuk do t`ia dal me implementim.

“Kësisoj, qytetarët e Kosovës do të mbesin edhe gjatë qeverisë tuaj nën mëshirën e portaleve duke kërkuar ndihmë për trajtimin e sëmundjeve. Arsye kryesore që ne mendojmë pse nuk po implementohet ky Ligj, mendojmë se ka qenë dhe mbetet mungesa e vullnetit që qeverive të deritanishme, duke përfshirë edhe këtë aktuale”, thuhet në letrën e PRAK-ut.

Shoqata për të drejtat e pacientëve ‘PRAK’ thotë se qytetarët e Kosovës sigurinë shëndetësore e kanë më të rëndësishme se agjendat evropiane, ato të dialogut apo kufijve. PRAK-u i ka kërkuar kryeministrit Haradinaj që të angazhojë të gjitha dikasteret përkatëse qeveritare për përshpejtimin e përgatitjeve të këtij procesi.

Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007 dhe asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, sepse atëherë nuk ishte nënshkruar nga shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Pas një kohe ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore me rekomandime të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Dita e 10 Prillit sot shënon pesë vjetorin e miratimit të Ligjit të paimplementuar të sigurimeve shëndetësore.