Zyrtarja tenton ta frikësojë gazetarin e KALLXO.com

Gazetari i KALLXO.com, Behar Mustafa, ka denoncuar një përpjekje serioze për ta frikësuar me paralajmërimin se një zyrtare e Komunës së Fushë-Kosovës do të iniciojë ndjekje penale ndaj tij.

Hulumtuesi i KALLXO.com është duke e hulumtuar një kontratë përmes së cilës zyrtarja e Komunës së Fushë-Kosovës, znj. Hasime Qyqalla, ia kishte dhuruar djalit të saj një pronë në Fushë-Kosovë.

Gjatë ditës, gazetari i ka telefonuar zyrtares për t’i marrë versionin e saj për procesin e ndryshimeve në këtë pronë ndërsa e njëjta ka paralajmëruar se për telefonatën ajo do të paraqesë kallëzim penal me arsyetim se është shqetësuar.

Zyrtarja pas paralajmërimit ka kërkuar të dhënat e gazetarit me paralajmërimin që emrin do ta vendosë në kallëzim penal.

Kërcënimi i gazetarëve me ndjekje penale është tentativë për t’i vënë gazetarët në situata të presionit.

KALLXO.com i kujton zyrtares në fjalë se gazetarët konform Kodit të Etikës bëjnë telefonata dhe kërkojnë llogari për çështje në interes të publikut ndërsa në secilën situatë kur palët kanë pretendime për shkelje të Etikës çështjet adresohen në mekanizmat ligjorë.

KALLXO.com i rikujton zyrtares së Komunës se shpifja është dekriminalizuar para 10 vitesh në Kosovë.

Përdorimi i padive SLAP apo denoncimeve pa bazë ligjore për gazetarët ka nisur të përdoret si formë e presionit ndaj gazetarëve çdo ditë e më shumë në Kosovë.

KALLXO.com në ditët në vijim do të iniciojë procedura ligjore ndaj zyrtares për të kërkuar llogari ligjore.