Si kaluan në emrin e djalit të zyrtares së Komunës pronat e blera pa ‘letra’ në vitet ’90?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi lidhur me një pronë në Fushë-Kosovë, e cila së fundmi ka dalë në emrin e një zyrtareje komunale, e cila më pas këtë pronë ia ka falur djalit të saj me një kontratë tek noterja.

Hasime Qyqalla është përfaqësuese ligjore e Komunës së Fushë-Kosovës.

Në vitin 2022 ajo kishte përfaqësuar familjen Qyqalla në Gjykatë në çështjen e trashëgimisë.

Sipas letrave, një pjesë e oborrit të Ali Krasniqit e po ashtu pjesë e pronës së Ajvaz Azemit më anë të këtij procesi doli në pronësi të djalit të Hasime Qyqallës.

Ali Krasniqi ka rrëfyer procesin se si prona të cilën ai pretendon se e ka blerë para 30 viteve doli me letra në emrin e zyrtarës së Komunës.

Ai pretendon se në vitin 1994 e kishte blerë tokën në Fushë-Kosovë. Aty ai ka ndërtuar shtëpinë, e cila gjatë luftës ishte djegur. Prona si shumë prona të blera në Kosovë nuk ishte regjistruar në kohën kur ishin paguar paratë.

Krasniqi pronën e kishte bërë pazar me Avdi Krasniqin. Djali i këtij të fundit e ka dhënë një deklaratë te noterja, sipas të cilës kjo pronë ishte shitur dhe duhet të jetë në pronësi të Ali Krasniqit.

Por letrat thonë se prona është e regjistruar në emër të një familjeje tjetër.

Siç pretendon Ali Krasniqi, prona ishte blerë nga familja Krasniqi prej familjes Qyqalla. As ky transaksion nuk ishte bartur në kadastër.

Këtë pronë ka 30 vite që e kam ble, e kam ble me dëshmitarë, pa letra zyrtare, e kam ble prej Avdi Krasniqit, i cili u deklarua se na këtë pronë ia kemi shitur Ali Krasniqit. Këtu kam jetuar edhe para luftës, në luftë mu ka djegur shtëpia e edhe dokumentacioni, e para 10 viteve një zyrtare e Komunës, Hasime Qyqalla, e cila ka punu në Urbanizëm, tash është avokate e Komunës, e ka bartur këtë pronë e ia ka qitë djalit të saj”- theksoi Krasniqi.

Problemin e njëjtë me Ali Krasniqin e ka edhe fqinji i tij, Ajvaz Azemi. Edhe prona e tij ka dalë në emër të djalit të zyrtares së Komunës së Fushë-Kosovës.

“Më ka premtuar ajo zyrtarja, Hasime Qyqalla, ajo vetë më ka thanë tërhiqe lëndën se nuk i njëjtë me Ali Krasniqin, edhe e kam tërheq, e kam anulu padinë. Unë atë e kam ble para luftës kur u kanë ’87-ta, edhe e kam atë të noterit njeri që ma ka shitë. Edhe me llafe të saj d.m.th. që jam kanë tash një vit unë jam kanë aty në Komunë, kam folë me të, më ka thanë: “Anuloje ankesën në gjyq!” Toka për momentin, si e Alisë, si e imja, në emër në dokument shkruan Altin Qyqalla, djali i Hasimes është”- theksoi Azemi për “Kallxo Përnime”.

Ajvaz Azemi kur e ka tërhequr padinë në letrën e tij  shkruan se po e tërheq padinë pasi nuk është i njëjtë me fqinjin e tij, Ali Krasniqin, sepse ky i fundit e ka zënë pronën pas luftës.

Azemi përveç që ka thënë se nuk i qëndron mbrapa atij pretendimi nuk ka treguar se kush e ka shkruar atë.

E në anën tjetër Ali Krasniqi ka dorëzuar në redaksinë e “Kallxo.com” edhe muhabetet mes tij dhe Sylejman Qyqallës, e i cili kishte thënë se kjo pronë ishte shitur para 60 viteve.

“Kjo kish figurua në emër të Sylejman Qyqallës, i cili deklarohet decidivisht se këtë pronë ne e kemi shitur para 60 viteve, e ka shitur baba Ramiz, s’kemi kurrgjë këtu hiç, absolutisht, i kam krejt bisedat e incizuara me të që deklaron se kurrë Hasimes s’i ka dhanë autorizim për këtë pronë”- tha Krasniqi.

Sylejman Qyqalla, i cili jeton në Perëndim, nuk kishte pranuar të fliste për këtë çështje por në të shkruar ka deklaruar se nuk ka të bëjë me atë pronë asgjë.

“Unë jam sqaruar me Hasimen e me Aliun, e nuk kam të bëj aspak me kurrfarë prone të kontestueshme. Hasimen e kam autorizuar për truallin që e kam në fshat qysh prej Toplicës dhe nuk kam kurrfarë prone tjetër përveç kësaj të Bardhit të Madh”. “Unë nuk kam të bëj tjetër dhe as nuk kam të bëj me prona të tjera, dhe siç thuhet në Shkodër: “Nuk dua të bëj ish, pa pasur pula fare”. Autorizimi ka qenë për të përkthyer truallin në Bardh të Madh prej emrit të babait tim, Ramizit, në emrin tim, kaq dhe aspak më shumë”- theksoi ai duke pretenduar se autorizimi ka qenë vetëm për pronën e babait të tij në Bardh të Madh e assesi për prona të tjera.

“Jo, asnjë procedurë të këtillë nuk e njoh, as kam biseduar në këtë drejtim, po unë nuk jam ndonjë çifligar o burrë i dheut, të dhuroj e të merrem me këso biznesesh. E si mund të ‘dhuroj’ unë diçka që s’jam pronar? Kurrë në jetë. Jo kurrë në jetë dhe as që kam biseduar me ndokë në këtë çështje. Çudi dhe kjo është tragji-komedi, të dhuroj unë kur s’kam, kjo është absurde. Unë Hasimes pyetjen e parë pas kësaj afere që mora vesh nga Aliu, ia bëra “Hasime pse në emrin tim?”, dhe çka t’i them e sqaroj Aliut, për herë të parë nga Aliu mora vesh se paskam qenë “pronar” i një trualli që as nuk e di se ku është. Me Aliun dhe me Hasimen i kam sqaruar punët dhe nuk dua të çaj kryet me çështje që nuk më përkasin mua. Më vjen keq këtë unë e quaj të përfunduar”- shtoi Qyqalla.

KALLXO.com ka siguruar autorizimin e dhënë nga Sylejman Qyqalla për Hasime Qyqallën e në të cilin shkruan se pronat e babait të Sylejmanit, Ramiz Qyqalla, t’i bartë në emër të tij e jo në emër të djalit të Hasimes, Altinit, qysh edhe ka ndodhur.

Është e paqartë se qysh i është lejuar Hasime Qyqallës që me autorizimin e Sylejman Qyqallës t’ia falte pronat djalit të saj.

Pronat ishin bartur në zyrën e noteres Ermira Uka –Gashi.

Hulumtuesit e KALLXO.com kanë tentuar të marrin një përgjigje nga noterja lidhur me autorizimin se çfarë konkretisht shkruan në autorizim por ajo duke u thirrur në Ligjin për noterinë nuk ka ofruar qasje në autorizim.

Para kamerës nuk ka pranuar të flasë as Hasime Qyqalla, por ajo nëpërmjet telefonit ka thënë se lënda është në Prokurori.

Ajo ka kërcënuar gazetarët e KALLXO.com se do t’i fusë në kallëzim penal pse po kërkonin të mësonin të vërtetën mbi pronën të cilën Ali Krasniqi po pretendon se e ka blerë para 30 viteve.

Ky është komunikimi nëpërmjet telefonit i gazetarit me Hasime Qyqallën.

Qyqalla: Alo.

Gazetari: Përshëndetje e nderuar.

Qyqalla: Urdhëro.

Gazetari: A po flas me Hasime Qyqallën?

Qyqalla: Po.

Gazetari: E nderuar, unë jam Behar Mustafa, jam gazetar i KALLXO.com. Të kërkova edhe më herët në komunë me u taku në lidhje me një pretendim të Ali Krasniqit rreth një prone, se ai po pretendon se e ka ble edhe që prona tash po del mbi emrin e djalit tuaj, Altinit.

Qyqalla: Faktikisht, procesi është në gjykatë, edhe hetuesit e kanë procesin kanë me zgjidhë problemin dhe kanë me…atëherë në baze të zgjidhjes së gjykatës mundeni me marrë. 

Gazetari. A mundemi me u taku, ne po dojna me të pyet qysh ka ndodhë kjo punë me na sqarua pak?

Qyqalla: S’mundesh sepse i pengon hetimet.

Gazetari: Pse, kush është duke e hetuar rastin?

Unë e kam dërguar në prokurori rastin sepse shqetësimet njëkohësisht ndoshta edhe ty duhet me të marrë cili je, sepse shqetësimet mbi pronën tonë nuk i dua. 

Gazetari: Nuk është telashe ajo punë por…

Qyqalla: Është prona jonë, nuk është kontestuese pronësia zotëri aty është një uzurpator të lutem mos u merr se s’mund bohet lajm uzurpimi i pronës, është vepër penale atë e ka marrë hetuesia dhe janë tu e konstatu vërtetësinë e pronës. 

Gazetari: Po e nderuar, po ne kemi fol me Sylejman Qyqallën, ai po pretendon se juve asnjëherë nuk ju ka autorizuar për…

Qyqalla: Nuk është e vërtetë, atij iu ka dhanë informata gabim, ai e ka një informatë për një pronë krejt të huaj tjetër ajo është pronë e vjetër e shitur moti është krejt diçka tjetër.

Gazetari: Po të tregoj pretendimet e tij, ai na ka thanë që….

Qyqalla: E di, ajo ka qenë para dy vjetësh ajo informatë kur ai ka mendu për një arë tjetër s’më ka dhanë autorizim për arën e Kozninit, kurse për këtë po është autorizimi gjithçka është e saktë, të lutem shumë mos t’i pengojmë hetimet, keni me pas mundësi shumë shpejt me marrë informatën e saktë zyrtare.

Gazetari: Ne tash kemi fol me të edhe ai na ka thanë se unë e kam autorizu me m’i qitë mbi emrin tim, jo mbi emër të djalit.

Qyqalla: Vetëm po të them edhe diçka, të lutem mos i pengoni hetimet se do të keni lajmin më të sigurtë, këta mund të jenë lajme të rrejshme, ju lutem mos i pengoni hetimet.

Gazetari: Po për atë po tentojmë me ardh me u taku me ty, me na sqaru.

Qyqalla: Më shumë je ka bën pengesa dhe mundesh me qenë pjesë e kallëzimit penal që e kam bo.

Gazetari: Ok, po edhe me zotëri Ajvazin kena fol, ai na ka thanë se zonja Qyqalla më ka thanë me tërheqë padinë sepse ta qes pronën mbi emër tëndin.

Qyqalla: Nuk ia kam qitë pronën mbi emër të vet, e qet ai vetë, por me të vërtetë jeni tu dezinformuar shumë, ju lutem mos dezinformoni.

Gazetari: E nderuar, për shkak se nuk po dojna me dezinformu po dojna me të taku me na tregu me na e dhanë autorizimin me e pa?  

Qyqalla: Është organi kompetent i cili nuk janë gazetat, gazetat mundohen me degradu dikë, por faktikisht keni me hy në vepër penale edhe ju mos degradoni njerëz sepse kjo është në instancat e duhura është te organet ma kompetente, nuk jeni kompetente për me degradu njerëz. 

Gazetari: Nuk po tentojmë me degradu, na po tentojmë me e pa të vërtetën e kemi marrë një ankesë të një qytetari i cili i ka ardhë edhe na ka thanë se pronën që e ka ble para disa viteve…

Qyqalla: Ki me pa kur të del, edhe ti e din që kur është në hetim nuk është mirë me shqetësu kurrkënd e as me hap lajme të panevojshme. 

Gazetari: Jo nuk po hapim lajme, por atëherë po i drejtohemi organeve që po na thu ti që e ke drejtu edhe po këqyrim ku është rasti a është në Prokurori të Prishtinës, a në Krime Ekonomike?

Qyqalla: Në Prokurori të Prishtinës.

Gazetari: Okej e nderume, po atëherë po marrim atje prej tyre çka po na thonë.

Qyqalla: A ka mundësi edhe një herë emrin, se ta harrova?

Gazetari: Behar Mustafa nga KALLXO.com. 

Qyqalla: Shumë mirë, qaq më duhet.

KALLXO.com e ka pyetur Prokurorinë e Prishtinës lidhur me pretendimet e palëve se kanë dorëzuar kallëzime penale. Prokuroria nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka treguar se rasti është duke u hetuar.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, aktualisht mund t’iu njoftojmë se Prokuroria është në procedurë të mbledhjes së informacioneve të nevojshme lidhur me pretendimet e përfshira në kallëzimin penal, për të vepruar tutje Prokurori i Shtetit, konform autorizimeve ligjore”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Prishtinës.