Pse gjykatat po i 'amnistojnë' kriminelët e ambientit?

Në emisionin “Kallxo Përnime”, u diskutua për dënimet që po i shqiptojnë gjykatat e Kosovës në rastet e krimit ndaj mjedisit.

Naim Sejdiu, kryeinspektor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka kritikuar prokurorët që, sipas tij, nuk dalin asnjëherë në vendin e ngjarjes për ta parë dëmin e shkaktuar.

“Qysh mundesh ti me e studiu një send kur nuk e sheh, nuk e prek, pa dalë me pa, edhe prokurori e gjykatësi duhet me dalë me hetu në vend të ngjarjes” – ka thënë Sejdiu.

Edhe Behar Mustafa nga KALLXO.com, i cili ka disa vite që trajton tema që kanë të bëjnë me krimet ndaj mjedisit, ka thënë se asnjëherë nuk ka rastisur në ndonjë prokuror apo gjykatës në vendin e ngjarjes për sa i përket dëmeve në mjedis.

“S’kam taku asnjëherë prokuror, as gjykatës në terren” – ka thënë Mustafa.

Naim Sejdiu gjithashtu ka shtuar se deri më sot nuk është arrestuar askush për këtë vepër.

“Kur ta përfundojmë ne lëndën e dërgojmë në prokurori, por po shohim që dënimet janë me gjoba dhe minimale. Se kur një operator do të përfundonte në gjykatë me 200-300 mijë euro gjobë, nesër do ta ketë të vështirë me dalë me punu” – ka thënë Sejdiu.

Shkodran Nikçi nga Prokuroria e Pejës ka thënë se problem kryesor për këtë institucion është rrjedhja e informacionit.

“E kemi të vështirë t’i zëmë në flagrancë kryerësit e këtyre krimeve sepse dikush mund ta rrjedhë informacionin dhe derisa ne të shkojmë te vendi i ngjarjes aty s’po gjendet asgjë” – ka thënë Nikçi.