Prapa grilave - Ilustrim

Zyrtari i arrestuar për ryshfet në Ministrinë e Kulturës, Gjykata merr këtë vendim ndaj tij

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit ndaj zyrtarit të Ministrisë së Kulturës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër  të pandehurit L .G. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim të Gjykatës.

Tutje në njoftim thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar dhe e argumentuar për këtë fazë të procedurës.

Në lidhje me rastin KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Këshilltarja politike, Zana Fetiu ka treguar se gjatë vitit 2021, MKRS ka adresuar Policinë e Kosovës një numër të konsideruar lëndësh me prova mbi dyshimet e bazuara për keqpërdorime në menaxhimin e subvencioneve dhe projekteve kapitale.

“Lidhur me rastin e arrestimit të fundit, por edhe rastet tjera, kemi qenë dhe jemi plotësisht të gatshëm për ofrimin e çfarëdo bashkëpunimi me organet e ndjekjes për të ndriçuar secilin rast”, ka thënë Fetiu për KALLXO.com.

Fetiu bën të ditur se zyrtari i arrestuar është L. G., në pozitën e asistentit të Drejtorit të Departamentit të Rinisë.

Ajo gjithashtu ka njoftuar se MKRS është duke ndërmarr të gjithë hapat e paraparë me legjislacionin në fuqi për raste të tilla në raport me zyrtarin përkatës.

“Bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik, MKRS është duke pritur konfirmimet zyrtare për shqiptimin e masave fillestare të procedurës penale në mënyrë që të plotësohen kushtet për veprimet administrative të MKRS –së, përkatësisht suspendimin e zyrtarit të arrestuar”, ka deklaruar Fetiu.

Zyrtari i arrestuar i Ministrisë së Kulturës dyshohet se mori ryshfet rreth 6 mijë euro