Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës konstaton se Auditori Gjeneral ka të drejtë dhe obligim të bëjë auditimin e RTK-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani i cili është edhe anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka njoftuar se Zyra ligjore e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka dhënë opinion ligjor se Zyra Kombëtare e Auditimit ka të drejtë dhe obligim të auditojë çdo vit Radio Televizionin e Kosovës.

“Zyra Kombëtare e Auditimit duhet që menjëherë të auditojë financat për çdo vit që ka humbur deri tani”, ka shkruar Rrahmani në rrjetin social Facebook.

Lidhur me këtë njoftim, ka reaguar edhe Fadil Hoxha, kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së i cili ka kërkuar opinion nga Auditori Gjeneral lidhur me ligjshmërinë e përzgjedhjes së drejtorit gjeneral të RTK-së.

“Dmth zyra ligjore e Kuvendit po bojka me dhënë opinion për çështje që kanë të bëjnë me Transmetuesin Publik. Atë që po e kërkon Sindikata për tash e dy vjet është që Kuvendi i Kosovës me urgjencë të kërkoj nga: Zyra ligjore e Kuvendit ose Auditori Gjeneral të jap opinion lidhur me ligjshmërinë e përzgjedhjes së drejtorit gjeneral te RTK-së”, ka shkruar Hoxha në Facebook.

Hoxha tha se javën qe shkoi, Inspektorati i Punës ka nxjerrë vendim në të cilin thuhet se drejtori i Shërbimeve të Përbashkëta në RTK është zgjedhur në mënyrë të paligjshme nga Bordi dhe drejtori gjeneral i RTK-së.

Më 25 maj të këtij viti, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka shqyrtuar raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2020.

Kryesuesja e këtij Komisioni Doarsa Kica, kishte kërkuar nga përfaqësuesit e RTK-së, ta qartësojnë punën e Auditorit Gjeneral.

“E kam të qartë që përbrenda RTK-së, ka pas ndryshim në pozicionim gjatë viteve karshi asaj se a ka të drejt Auditori Gjeneral ta auditoj RTK-në apo jo. Më herët keni pas shkresa përveçse drejtori i kaluar në fakt edhe ju e kam vërejt që e keni kontestu me e-mail, keni bërë kërkesë që Parlamenti t’i drejtohet Auditorit Gjeneral që vetëm atë herë ai të vij për auditim. Këtu ju keni kërkuar është edhe trajtimi i kontestueshëm i Auditorit Gjeneral në përputhje për ligjin për ndërmarrje publike dhe ligjin për RTK-në karshi asaj se a duhet RTK-ja ta zgjedh vet auditorin apo jo”, tha Kica.

Kica ka kërkuar të dijë se a është RTK e hapur për Auditorin.

“Ka qenë pozicionim i juaji dhe i drejtori paraprak. Por ajo çka kemi parë tash së fundi se jeni të hapur për Auditorin Gjeneral. A jeni të hapur për Auditorin”, ka drejtuar pyetje te Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së.

Ndërsa Kastrati iu është përgjigjur se janë të hapur për Auditorin.

Ky diskutim kaloi në pyetje e përgjigje. Kica kërkoi të dijë se çka ka ndryshuar në kornizën ligjore që kanë ndryshuar qëndrim se Auditori Gjeneral duhet të vij në RTK.

Kastrati tha se janë të hapur për gjithçka pasi sipas tij RTK-ja nuk është e tij.

Kica tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton decidivisht që Auditori Gjeneral ka kompetencë tek institucionet publike.

“Adresimi i ligjit special ka të bëjë tek zbrazëtirat në rastin konkret nuk mund të konsiderohet ligj special RTK-ja kur e kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës që e trajton kompetencën e Auditorit Gjeneral. Nëse Auditori Gjeneral thotë se ka pas pengesa me rastin e ardhjes në RTK, nëse Auditori Gjeneral thotë se është pengu në punën e tij, ne më së paku presim një kallëzim penal prej auditorit gjeneral që është pengu puna e tij gjatë qasjes në RTK. Nëse nuk kemi një kallëzim penal të tillë, më intereson të dijë prej Auditorit Gjeneral a është i vetëdijshëm që edhe mos kallëzimi penal është i veprave penale është vepër penale”, tha Kica.

Kastrati është kundërpërgjigjur duke thënë se Auditori Gjeneral ka audituar 6 muaj në RTK në vitin 2019.

“Auditori ka qenë në vitin 2019, ka auditu 6 muaj, ju kërkojeni nga Auditori se unë e kam është konficencial, është raporti i bërë. Ne e kemi ngrit një çështje se a ka të drejtë apo jo. Ne nuk i kemi thënë Auditorit mos hajde. Hajde kur dush po nuk shkoj unë me thirr hajde auditim. Është draft raporti”, tha Kastrati duke treguar se e kanë pranuar raportin me vërejtjet e tyre.