Gaza, 12 tetor 2023, Foto: REFL/REL

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në Gaza: "Pa ushqim, pa ujë, shumë pak furnizime mjekësore"

Vuajtja shihet kudo në Gaza dhe asnjë vend nuk është i sigurt për civilët e zhvendosur, ka deklaruar të enjten një punonjëse e ndihmave të Kombeve të Bashkuara, teksa i ka detajuar kushtet e tmerrshme në këtë enklavë.

Gemma Connell, udhëheqëse e ekipit të Gazës për Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), ka thënë se ka parë nivele të larta shkatërrimi në të gjithë enklavën gjatë muajit të kaluar.

Shumë njerëz që mbërrijnë në Gazën jugore “janë zhvendosur jo një herë, jo dy herë, por gjashtë apo shtatë herë”- i tha ajo Christiane Amanpour të CNN.

Connell i përshkroi gjithashtu dëshpërimin në veri.

“Unë asnjëherë në karrierën time humanitare nuk e kam parë këtë nivel të vuajtjes, dëshpërimit dhe privimit që po vuajnë njerëzit që ndodhen në atë pikë kontrolli”- ka thënë ajo.

“Pa ushqim, pa ujë, shumë pak furnizime mjekësore”.

Connell i refuzoi gjithashtu akuzat izraelite se agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë po “ngec”, pasi ndihmat rrjedhin në Gaza nga dy pika kufitare jugore.

“Fakti që të gjithë ne këtu zgjohemi çdo ditë, duke u përpjekur të nxjerrim ndihmë, është një provë pozitive e faktit që nuk po ngecim. Ka shumë sfida”- tha ajo, duke i përmendur kontrollet e shumta që duhet të kalojnë kamionët me ndihmë.

Connell tha gjithashtu se duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje fatit të 2.2 milionë njerëzve në Gaza, të cilët kanë nevojë të dëshpëruar për ndihmë.

“Frika ime më e madhe është se bota nuk i sheh njerëzit e Gazës si njerëzit që janë”- tha ajo. “Dhe megjithatë çdo ditë kjo është pikërisht ajo që unë shoh – janë njerëzit e Gazës dhe shkalla shkatërruese dhe katastrofike e kësaj lufte mbi njerëzit”./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala