Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit: Shkrimet për U.D. Kryeprokurorin kanë qëllim denigrimin e tij

Mëngjesin e sotëm, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar pas publikimit të një shkrimi nga mediumi online “Paparaci” në lidhje me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi.

Në reagim e Prokurorisë, thuhet se në shkrimin e mediumit online janë publikuar disa informata për Kelmendin të cilat janë të pabazuara dhe kanë për qëllim denigrimin e autoritetit të të njëjtit.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin se U.D. Kryeprokurori i Shtetit do të shfrytëzojë rrugët ligjore për t’iu drejtuar Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), për shkelje të kodit të etikës gazetareske, si dhe gjykatës kompetente me padi për shpifje dhe ofendime, duke përfshirë edhe kompensimin e dëmit që i është shkaktuar me anë të këtij shkrimi U.D. Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Tutje në po të njëjtin reagim tregohet edhe se Kelmendi ka angazhuar edhe përfaqësues ligjor për të ndjekur rrugët ligjore në organet e rendit në lidhje me artikullin e publikuar.

Mediumi online “Paparaci” mbrëmjen e kaluar ka publikuar një artikull në të cilin pretendon se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi në vitet e 90-ta ka punuar si bashkëpunëtor i gjyqtares serbe, Danica Marinkoviq.

Sipas shkrimit të “Paparaci” vetë Kelmendi i kishte mohuar këto pretendime duke treguar tutje se në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në të kaluarën ka qenë vetëm si bashkëpunëtor profesional.