U.d. Kryeprokurori i Shtetit pas hulumtimit të "Kallxo Përnime" për korrupsionin në drejtësi: Prokuroria do të veprojë

Besim Kelmendi, ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka folur për hulumtimin e emisionit “Kallxo Përnime”, i cili zbardh dosjen e korrupsionit në drejtësi ku u dhanë 150 mijë euro për zgjidhjen e disa lëndëve në gjykata.

Kelmendi në emisionin “Tempus” në KTV ka thënë se si prokurori do të veprojnë për këtë rast.

“Po pres me pa edhe sonte pjesën e dytë. Prokuroria e ka për detyrë ligjore me vepru, kjo s’ka dilemë, është punë e Prokurorisë”- ka thënë Kelmendi.

Biznesmeni Sali Dakaj ka vendosur ta japë versionin e tij për pretendimet e tij se i dha 150 mijë euro që lënda e një borxhi prej 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.

Dakaj ka pranuar të bashkëpunojë me emisionin “Kallxo Përnime” dhe të filmojë e incizojë takimet për të arritur të dokumentojë se si i dha paratë, si iu premtua që lënda do të zgjidhej dhe si arriti të ulej në takim me në atë kohë kryeprokurorin e Apelit, Haxhi Dërgutin.

Gjatë këtyre takimeve Haxhi Dërguti e pranon para Dakajt se ai e ka ditur se ka qenë duke u përgjuar pasi, siç thotë ai vetë, një polic ka shkuar dhe i ka treguar.

Dërguti këto komente i bëri kur i tregonte Dakajt se pse nuk ia ka hapur telefonin për të diskutuar për lëndën e këtij të fundit.

Kur u pyet nga emisioni se pse ka pohuar kështu në video-incizimet dhe si e mori vesh që ishte përgjuar, Dërguti tha se nuk e ka ditur këtë dhe se e ka pohuar vetëm për justifikim.

Afera e korrupsionit në drejtësi, ish-kryeprokurori i Apelit tregon a ishte përgjuar