Avancohen dy prokurorë në Prokurorinë Speciale

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka aprovuar sot propozimin e komisionit për avancim, për avancimin e dy prokurorëve të rinj në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokurori Shpëtim Peci dhe prokurorja Sebahate Hoxha- Pepaj, u vlerësuan si kandidatët më të suksesshëm në konkursin për avancim në Prokurorinë Speciale.

Kryesuesi i Komisionit për avancim, Besim Kelmendi, gjatë prezantimit të raportit bëri të ditur se në këtë konkurs kishin aplikuar nëntë prokurorë, ndërsa shtatë prej tyre kishin marrë pjesë në procesin e intervistimit.

Ndërsa prokurorët, Eset Rama dhe Mendui Kastrati kishin njoftuar tërheqjen e tyre nga procesi i intervistimit.

Sipas Kelmendit, pas vlerësimit të kritereve të cilat përcaktohen me rregulloren në fuqi, komisioni propozoi këta dy prokurorë që të votohen nga Këshilli për avancim në Prokurorinë Speciale.

Nga dhjetë anëtarë prezent në takimin e sotëm të KPK-së, gjashtë nga ta votuan pro avancimit të dy prokurorëve ndërsa katër të tjerë abstenuan.

Tutje, lidhur me këtë konkurs për avancim, kundërshtim kishte paraqitur kandidatja – prokurorja Bukurije Gjonbalaj, por që ky kundërshtim nuk u miratua nga anëtarët e Këshillit.

Nga 15 shtatori 2023, këta dy prokurorë pritet të marrin detyrën e re.