Në Prishtinë fillon ‘Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit’

Me organizimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në Prishtinë ka filluar ‘Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit’.

Në këtë ngjarje, gjatë fjalës së saj, presidentja e vendit Vjosa Osmani tha se gjatë muajve të fundit vendi është tronditur nga rastet e dhunimeve, e që në disa raste viktimat ishin të mitur.

“Ajo çka e bëri më të rëndë këtë situatë, është mungesa e reagimit efektiv të institucioneve në adresim të këtyre veprave penale. Sot jam këtu për të bërë një thirrje publike, për një rol shumë më proaktiv të institucioneve tona në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale, si dhe gjykimin më efektiv të veprave penale kundër integritetit seksual” – tha Osmani.

Presidentja tha se është koha e duhur për të adresuar më mirë ndihmën ndaj viktimave, përmes përmirësimit të kapaciteteve njerëzore fizike, për t’i trajtuar rastet, pas ngjarjeve traumatike.

“Kam adresuar pikërisht çështjen e dështimeve dhe defekteve sistemike që janë vënë në pah nga analiza dhe vlerësime që janë bërë tashmë disa vite me rradhë” – deklaroi Osmani.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, tha se në 9 muajt e vitit 2022, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në kuadër të Prokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 2 mijë e 163 viktima të të gjitha kategorive.

Gjithashtu, sipas Kelmendit, Komisioni për mbrojtjen e viktimave ka pranuar 15 kërkesa, prej të cilave 12 janë aprovuar, 2 janë në proces dhe 1 është refuzuar.

“Jam tejet i lumtur të shohë një strukturë të tërë institucionale që ka për qëllim mbrojtjen, kujdesin e dhënien e të gjitha shërbimeve profesionale bazike e esenciale, për të gjitha viktimat që kanë pësuar nga aktet kriminale. Dua të shpreh një falënderim të veçantë për Ambasadën Amerikane që ka ndihmuar Prokurorin e Shtetit si dhe Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave, gjithashtu falënderoj edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë” – tha Kelmendi.

“Jemi të vetëdijshëm që duhet shumë punë, si prokuror, si mbrojtës të viktimave dhe nga institucionet tjera për ndalimin e dhunës”.