ZRrE mban të mbyllur mbledhjen ku diskutohet për licencimin e KELKOS-it, reagojnë 'Pishtarët'

Organizata Jo Qeveritare “Pishtarët” ka reaguar ndaj mbledhjes së ardhshme të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, e cila pritet të mbahet e mbyllur për mediat dhe publikun.

“Pishtarët” përmes një letre kanë ngritur dyshimet se arsyeja e mbylljes së mbledhjes për mediat dhe publikun është për shkak se ZRrE do të shqyrtojë licencimin e kompanisë KELKOS Energy për prodhimin e energjisë elektrike në hidrocentralet në Deçan.

Në letër më tej akuzohet ZRrE se edhe vitin e kaluar ka tejkaluar kompetencat e mandatit duke i dhënë licencimin për operim ndonëse sipas organizatës, KELKOS nuk ka leje mjedisore.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nesër do të mbajë mbledhjen e radhës ku do të shqyrtojë pikën e rendit të ditës mbi licencimit të ndërmarrjes KELKOS në veprimtarinë e prodhimit të energjisë.

Letra e Plotë e organizatës “Pishtarët”

Në mbledhjen e ardhshme të Bordit, që do të mbahet me 14 Tetor, 2020 ju do të shqyrtoni faktin se kompanisë Kelkos Energy Sh.p.k, po i skadon afati i licencës së përkohshme për operim të dy hidrocentraleve në Deçan. Sipas agjendës, ju do të shqyrtoni kushtin e licencës, pra lejen mjedisore. Nuk është e qartë se çka do të shqyrtohet pasi ata ende nuk kanë leje mjedisore dhe ne si organizatë që përcjellim dhe kemi ngritur çështjen e Kelkosit në forume të ndryshme, jemi të shqetësuar për vendimet e mundshme në këtë mbledhje.

Vitin e kaluar, ju i lëshuat  Kelkosit disa here licenca të përkohshme ( 3 muaj + 3 muaj + 1 vit) edhe pse nuk e kishin sjellë lejen mjedisore. Me këto vendime ju dolët jashta mandatit tuaj dhe tejkaluat kriteret ligjore. Edhe tash një vit pas, sipas situatës në teren dhe aplikimit të Kelkosit për leje mjedisore, ky kusht është larg për tu përmbushur. Pra, pa marrë parasysh se sa shansa po i ofrohen Kelkosit që të hyjë në rrugë ligjore ato po injorohen.

Ne kemi dëgjuar nga ju se ZRrE nuk do të bëjë më lëshime për Kelkosin pa u pajisur ata me leje mjedisore. Ne shpresojmë se në këtë mbledhje do të vendosni pikërisht këtë gjë. Por fakti që ju e keni mbyllur mbledhjen për publikun dhe mediat na shqetëson se institucionet e Kosovës nuk po tregojnë transparencë në lidhje me Kelkosin dhe prapë mund të bëjnë lëshime ligjore. A nuk është e mundur të ju përcjellim online siç i përcjellim mbledhjet e komisionit hetues?

Çështja e Kelkosit tashmë është nën vëzhgim të aktereve të ndryshëm në Kosovë, siç janë Grupi Hetimor Parlamentar, dhe siç keni deklaruar ju, Prokuroria Speciale. Kjo çështje ka marrë edhe përmasa ndërkombëtare dhe është duke u përcjellur edhe nga Komuniteti i Energjisë në Vjenë pasi këto ditët e fundit ne zyrtarisht kemi dërguar ankesë në Sekretariat lidhje me vendimet e kaluara dhe kemi kërkuar hetime nga ana e tyre. Kërkesa jonë është pranuar zyrtarisht.

Ju mund të keni presione të ndryshme nga aktorë të ndryshëm, siç kemi dëgjuar për vendimet e kaluara, por ne ju rikujtojmë se si organ i zgjedhur nga Kuvendi, ju duhet t’i përgjigjeni popullit. Andaj, si shoqëri civile që mbrojmë interesat e popullit të Deçanit, kërkojmë nga ju dhe shpresojmë që do të ushtroni diskrecionin më të lartë të mandatit tuaj, të veproni vetëm sipas ligjeve në fuqi  dhe të urdhëroni ndërprerjen e të gjitha operimeve të Kelkosit, deri të përmbushen kushtet sipas ligjit ne fuqi.

Gjithashtu, të njoftoni zyrtarisht KOSTT-in se Kelkosi nuk janë të pajisur me licence nga ju në menyrē qē të mos u blejnë rrymën e prodhuar kundërligjshem. Deri tash, KOSTT i ka mundësuar Kelkosit gjithë këto operime të jashtëligjshme pasi bëjnë shkelje duke ju blerë atyre rrymën e prodhuar edhe pa licence nga ju. Por Rregullatori po heshtē që nga 2016. Duke qenë se miliona euro u japen Kelkosit si tarifë nxitëse nga taksat tona, po dëshmohet se shteti jonë edhe është duke i financuar këto shkelje ligjore dhe degradimin e mjedisit në Deçan.

Si organ monitorues, është përgjegjësi e juaja që të ndaloni këto shkelje.  Vetëm duke ju përmbajtur kornizës ligjore mund të detyrojmë Kelkosin të fillojë rehabilitimin e Grykës së Deçanit dhe të respektojë ligjet tona. Çdo përpjekje tjetër për t’i dhënë mundësi operimi Kelkosit, siç ka ndodhe në vitet e fundit, e dëmton rëndë drejtësinë dhe po i humb kredibilitetin e institucioneve dhe shtetit tonë para syve të botes.

Po përfshijmë në këtë email edhe anëtarë të Komisionit Hetues Parlamentar, anëtarë të Komisionit Mbikqyrës të ZRrE, sekretarin e Ministrisë së Mjedisit z. Fatos Qerimi, kryetarin e komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj dhe mediat.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe mbesim me shpresë se vendimet e juaja tash do t’i japin shansë zbatimit të ligjit në Grykë të Deçanit!