Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimet e kandidatëve të Istogut për digjitalizimin e shërbimeve komunale

Kandidatët për kryetar të Istogut kanë dhënë premtimet e tyre në lidhje me digjitalizimin e shërbimeve komunale për qytetarët.

Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do të fillojë projektin “Smart City”.

“Digjitalizimin do ta bëjmë, të cilin kam me financu me Grantin e Performancës e që quhet Smart City, ku ka zërim për gjendje me alarmu popullin, në një perimetër prej 300 metrash ka rrjet, ka semafora, ka letërnjoftim të komunës. Do ta bëjmë bordin nga diaspora në mënyrë që ata t’i organizojnë si të duan vetë”, ka thënë Berisha.

Ali Nimanaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të fillojnë të aplikojnë e-qeverisjen në komunën e Istogut.

“Bazuar në ekspertët tanë ne do ta kemi e-qeverisjen komunale, ku do ta kemi administratë- qytetarë, administratë- biznes dhe administratë- administratë. Ne do të bashkëpunojmë me UNDP dhe donatorë të tjerë të cilët do të na ndihmojnë”, ka thënë Nimanaj.

Ndërsa Idriz Blakaj nga IBI tha se ende s’mund të flasë për koston se sa mund t’i kushtojë digjitalizimi por tha se do të angazhojë një ekip profesionistësh.

“Kemi ekspertë të IT të mrekullueshëm edhe në Istog. Do ta bëj një ekip që do të merret me këtë punë dhe do ta caktojmë koston. Është e nevojshme që punët e komunës të dalin në platforma digjitale sepse transparenca është puna e parë që duhet ta bëjë komuna dhe më e rëndësishmja”, ka thënë Blakaj.

Agron Avdijaj nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do të reformojnë dhe riorganizojnë shërbimet komunale.

“Ne premtojmë reformimin dhe riorganizimin e plotë të organizatës dhe vënien në funksion të ligjshmërisë dhe llogaridhënies. Shpeshherë na janë kthy dokumente për shkak se nuk janë punuar si duhet. Ne zotohemi se do ta bëjmë digjitalizimin e shumicës së shërbimeve komunale. Po ashtu edhe synojnë që ta bëjmë edhe digjitalizimin e shkollave”, u shpreh Avdijaj.

Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se do të fillojë me projektin e-shërbimet.

“Digjitalizimi i punëve të administratës përmes e- shërbimet. Do të instalojmë programe softuerike të pakorruptueshme, digjitalizimin e lejeve komunale, digjitalizimin e të dhënave kadastrale, ndërtimi i stacioneve të mençura të autobusëve në Vrellë, Gurakoc, Istog e Banjë”, ka thënë Ferati.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga LVV; Ali Nimanaj nga PDK; Bekë Berisha nga AAK; Idriz Blakaj nga IBI; Ilir Ferati nga LDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Istogut: Delvina Sylaj nga LDK; Fjoralba Raci nga LVV; Jehonë Mehmetukaj nga AAK dhe Lirije Demiri-Sadikaj nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Ky artikull hulumtues është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli hulumtues është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.