Komuna e Shtimes - Foto: KALLXO.com

ZKA gjen parregullsi në thirrjen publike të Komunës së Shtimes për subvencionim të fermerëve

Komuna e Shtimes në mars të vitit 2023 ka subvencionuar fermerët me farë misri.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjeti se thirrja publike për subvencionim ishte përcjell me disa parregullsi.

“Thirrja publike për subvencionimin e fermerëve në bujqësi nuk kishte parashikuar që aplikuesit/përfituesit të dorëzonin projekt financiarë dhe fletën poseduese për pronësi që janë kërkesa të rregullores së brendshme të komunës. Një mostër e testuar kishte rezultuar që përfituesi kishte dorëzuar aplikacionin me datë 09.03.2023, derisa afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve sipas thirrjes ishte 06.03.2023.”

“Sipas thirrjes publike për subvencionimin e fermerëve në bujqësi aplikuesit duhet të jenë përfitues të subvencioneve të misrit në vitin paraprak, pra për vitin 2022 në mënyrë që të kualifikohen për subvencionim për vitin 2023. Pra komuna kishte pamundësuar përfitimin e subvencioneve nga fermerët e rinj. Sipas thirrjes publike për aplikim për farë misri të datës 14.02.2023, ndër kriteret që duhet ti plotësoj përfituesi ishte që aplikuesit duhet të kenë për mbjellje deri në 2ha. Nga shqyrtimi i dosjes për subvencionim me farë të misrit, ne kemi vërejtur se 134 përfitues nga gjithsej 198 apo 68% e tyre kishin sipërfaqe për mbjellje të misrit mbi 2ha”- janë gjetjet e Auditorit.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur “për shkak të mos funksionimit të kontrolleve të brendshme gjatë përgatitjes së thirrjes publike dhe vlerësimit të dosjeve të aplikuesve për subvencione.”

Ndërsa thuhet se thirrja publike jo në pajtim me rregulloren dhe mos përfillja e kritereve të thirrjes nga ana e komisionit vlerësues, rrit rrezikun që subvencionet e dhëna të mos arrijnë qëllimin për të cilën janë destinuar derisa në të njëjtën kohë diskriminon përfituesit potencial të thirrjes.

ZKA ka rekomanduar që kryetari duhet të sigurojë marrjen e masave të nevojshme për forcimin e kontrolleve të brendshme në mënyrë që dokumentet e nevojshme për subvencionimin e fermerëve të jenë në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e përcaktuara me rregulloren e brendshme të komunës për subvencione.

“Gjithashtu duhet të sigurohet që gjatë vlerësimit të aplikacioneve të respektohen kriteret e vendosura në thirrje”- thuhet në raport.

Me këtë gjetje të ZKA-së nuk është pajtuar Komuna e Shtimes.

Sipas përgjigjes, Komuna e Shtimes ka thënë se sasia e mbetur e misrit është shpërndarë edhe të një pjesë e fermerëve që kanë mbi dy hektarë.

“Kriter ka qenë të gjithë fermerët që mbjellin misër deri në 2 hektarë, ndërsa përfitues kanë qenë edhe ata fermer me mbi dy hektarë për arsye pas përfundimit të aplikimit të gjithë ata fermer që kanë aplikuar deri në dy hektarë kanë qenë përfitues dhe pastaj ka mbet sasi misrit dhe Komuna e ka shpërnda edhe një pjesë të ata fermer mbi dy hektarë”- thuhet në raport.

Në vitin 2022, kjo komunë kishte marrë 12 rekomandime.

Raportin e plotë të Komunës së Shtimes me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni në këtë LINK.