
Foto: Përparim Rama/Facebook
Rama viziton Kuzhinën Qendrore: Do të bëjmë treg të gjelbër për fermerët e Kryeqytetit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është takuar me pjesëtarë të Kuzhinës Qendore në Kryeqytet, për çka thotë se është diskutuar për avancimin e programit të kësaj Kuzhine, që mbulon grupe të ndjeshme të shoqërisë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Rama ka theksuar se në kuadër të zhvillimeve të Kuzhinës Qendrore do të përfshihet edhe bashkëpunimi me fermerë dhe sektorin privat.
Sipas Ramës, fermerët të cilët furnizojnë Kuzhinën Qendrore me produktet e tyre do të subvencionohen nga Komuna e Prishtinës, në mënyrë që sipas tij të krjohet një ekonomi qarkore.
Rama shkruan se në kuadër të kësaj Kuzhine do të krijohet një treg i gjelbër, i destinuar për fermerët e Kryqytetit, në mënyrë që t’iu krijohet mundësia që ata të shesin produktet e tyre te qytetarët.
“Gjithashtu, një hapësirë e madhe do të dedikohet për organizimin e festivaleve stinore, të hapura për qytetarët, ku ata do të mund të shijojnë ushqime të freskëta dhe të gëzojnë aktivitete të ndryshme që promovojnë jetesën e shëndetshme dhe bashkëveprimin komunitar.” – shkruan Rama sot, më 12.02.2025.
Në vitin 2017, Komuna e Prishtinës kishte rinovuar dhe marrë në menaxhim Kuzhinën Qendrore, pasi deri atëherë menaxhohej nga një Operator privat.