Përfshihet nga zjarri një autoservis në Duhël të Suharekës

Në orët e pasdites një autoservis është përfshirë nga zjarri në fshatin Duhël të Suharekës.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se si pasojë e zjarrit janë djegur disa vetura.

“Policia nga një qytetar, rreth orës 14:45 është njoftuar se një zjarr i madh është ndezë në Duhël të Suharekës, në këtë rast zjarri ka përfshirë një autoservis, ku janë djegur disa vetura dhe demi material është i madh”- tha Byqyqi për KALLXO.com.

Bytyqi ka njoftuar se Policia dhe zjarrfikësit janë munduar ta shuajnë zjarrin dhe ta largojnë nga një pikë karburanti që ndodhet afër. Zjarrëfikësve të Suharekës iu kanë dalë në ndihmë edhe ata nga Mamusha e Prizreni,

Zëdhënësi i Policisë thotë se deri më tani nuk ka të lënduar vetëm dëme të medha materiale. Megjithatë, Bytyqi ka treguar se dy qytetarë dhe një zjarrfikës kanë kërkuar ndihmën e mjekut për shkak të tymit.