Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë nëse nuk u paguhen shtesat për rrezikshmëri

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka paralajmëruar protestë në rast se institucionet e shtetit nuk i përmbushin kërkesat e tyre.

Përmes një reagimi që i kanë dërguar edhe kryeministrit Albin Kurti dhe institucioneve të tjera relevante, Sindikata thotë se zjarrfikësit janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të zjarrfikjes dhe shpëtimit.

KALLXO.COM ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Zjarrfiksëve, Muharrem Beka, i cili shprehet se zjarrfikësit janë anashkaluar nga Qeveria.

“Janë anashkaluar zjarrfikësit, është marrë një vendim selektiv duke na dëmtuar neve. Kjo është e papranueshme çfarë po ndodhë sepse nuk ka përgjegjësi institucionale. Iu kemi drejtuar të gjithëve, si Qeverisë, Kuvendit, por nuk kemi marrë asnjë përgjigjje”- është shprehur Beka në një bisedë me KALLXO.com.

Më tej, ai thotë se u janë drejtuar me shkresë edhe Komisionit për Çështje të Sigurisë, kryetarit të Kuvendit e Ministrisë së Punëve të Brendshme duke kërkuar që t’u bëhet zgjidhje zjarrfikësve.

‘’Ne ju kemi shkruar edhe Komisionit të Kuvendit për siguri, të gjitha grupeve parlamentare edhe kryetarit të Kuvendit, ministrit të Punëve të Brendshme, kryeministit, ministrit të Financave dhe ju kemi kërkuar të bëhet zgjidhje për zjarrfikësit”- shprehet sindikalisti.

Beka sqaron se nuk janë kundër shtesave për Policinë e Kosovës teksa shton se “mendojmë se ata meritojnë më shumë, mirëpo jemi kundër anashkalimit që po na bëjnë neve”.

“Sa për sqarim ne nuk jemi kundër shtesave për Policinë e Kosovës dhe ne mendojmë se ata meritojnë më shumë, mirëpo jemi kundër anashkalimit që po na bëjnë neve. Ne jemi të dëmtuar edhe me koeficientin për paga”- ka theksuar ai.

Sipas Bekës, protesta është e pashmangshme pasi siç tha ai, kanë pritur për një zgjidhje por nuk kanë marrë përgjigje.

“Që protesta është e pashmangshme, ne kemi pritur deri tash për ndonjë zgjidhje por nuk kemi marrë përgjigje. Ne kërkojmë një trajtim të dinjitetshëm nga ana e institucioneve. Ne kemi mbledhje ditën e hënë dhe do ta caktojmë ditën e protestës’’- ka deklaruar Beka.

Kërkesat e Sindikatës së Zjarrfikësve janë:

-Të fillojë të kompensohet rrezikshmëria në punë;

-Sigurimet shëndetësore;

-Të rritet stafi me zjarrfikës të rinj, numri i tanishëm është jashtë  çdo kriteri;

-Kontrollet sistematike të zjarrfikësve;

-Të kompensohen obligimet për orët jashtë orarit, festat shtetërore dhe ndërrimet e natës për vitin 2022, siç jemi dakorduar në takim të mbajtur me datën 19.11.2021 me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ministrin Hekuran Murati dhe ministrin Xhelal Sveçla;

-Të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore dhe orët jashtë orarit për vitin 2023;

-Të definohen kompetencat menaxhuese në mes AME/MPB- Komuna

-Të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen pajisje për mjete dhe punë;

-Të sigurohet shujta.