Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Sulmet nga forcat ruse u raportuan në qytetet kryesore anembanë Ukrainës, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev. 

Zyrtarët perëndimorë pohuan se për nga shtrirja, lufta mund të jetë më e madhja në Evropë që nga viti 1945. 

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) verifikoi mbi 6.8 mijë vdekje të civilëve në Ukrainë gjatë luftës që nga dhjetori 2022.

Lufta rezultoi në një krizë humanitare, pasi mijëra ukrainas u larguan në perëndim të vendit të tyre dhe jashtë vendit. 

Polonia fqinje regjistroi numrin më të madh të kalimeve kufitare nga Ukraina, me rreth tetë milionë që nga dhjetori 2022, e ndjekur nga Rusia, Hungaria dhe Rumania.

Sot është dita e 364 e luftës në Ukrainë dhe këto janë zhvillimet e fundit nga atje:

Duke folur para një turme prej mijëra personash në kopshtet e Kështjellës Mbretërore të Varshavës, Joe Biden e përshëndeti qëndrueshmërinë e popullit të Ukrainës dhe dashamirësinë e Polonisë dhe aleatëve të tjerë perëndimorë për të ndihmuar në shmangien e pushtimit rus.

Presidenti amerikan tha se sulmi ndaj Ukrainës nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë dhe shtoi se sanksionet e reja kundër Rusisë do të shpallen këtë javë.

Ministrat e Jashtëm të G7 kanë thënë se vendet e tyre do të vazhdojnë të imponojnë kosto ekonomike ndaj Rusisë dhe i kërkuan komunitetit më të gjerë ndërkombëtar të refuzojë atë që ata e përshkruajnë si “ekspansionizmi brutal i Moskës”.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka mbajtur një fjalim të gjatë televiziv kombëtar në dhomat e përbashkëta të parlamentit rus, në të cilin e fajësoi perëndimin për fillimin e luftës në Ukrainë dhe premtoi një fond të ri për të ndihmuar ata që kishin humbur të dashurit në atë që ai iu referua si “operacioni ushtarak special” i Rusisë në Ukrainë.

Putin e bëri të ditur gjithashtu pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë në START të ri (Traktati për Reduktimin e Armëve Strategjike). Ministria e Jashtme më vonë tha se Moska zyrtare synon të vazhdojë t’i përmbahet kufizimeve të përshkruara në traktat për numrin e kokave të armatimeve  që mund t’i ketë vendosur.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se i vjen keq për vendimin e Rusisë për ta pezulluar pjesëmarrjen e saj në traktatin dypalësh të kontrollit të armëve bërthamore START dhe i kërkoi Moskës ta rishqyrtojë këtë vendim.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të martën se forcat ukrainase po i ruajnë pozicionet e tyre në vijën e frontit në lindje pasi Rusia raportoi se po përparon drejt objektivit të saj kryesor në zonë. Rusia, duke u përpjekur të sigurojë kontrollin e plotë të dy provincave lindore që formojnë rajonin industrial Donbas të Ukrainës, ka ndërmarrë sulme të përsëritura, duke siguruar përfitimet e saj më të mëdha rreth qytetit minerar Bakhmut.

Hetimet nga Danimarka, Gjermania dhe Suedia lidhur me shpërthimet në tubacionet e gazit Nord Stream nuk kanë përfunduar ende, është deklarata e bërë nga të tri këto vende të martën ndërkohë që këshilli i sigurisë i OKB-së u mblodh për ta diskutuar incidentin e shtatorit. Rusia, e cila bëri thirrje për takimin, dëshiron që këshilli prej 15 anëtarësh të kërkojë një hetim të pavarur për shpërthimet në tubacionet që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë, të cilat hodhën gaz në Detin Baltik dhe përkeqësuan mungesën e energjisë evropiane.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar se Italia “nuk do të lëkundet” në mbështetjen e saj për Ukrainën pas takimit me presidentin Volodymyr Zelenskiy në Kiev të martën.

Sulmet ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, kanë lënë të paktën gjashtë persona të vdekur dhe 12 të tjerë të plagosur.

Autoritetet ukrainase u kanë thënë shkollave  të martën që të mbajnë mësim nga shtëpia në datat 22-24 shkurt për shkak të rrezikut të sulmeve raketore ruse rreth përvjetorit të parë të pushtimit të Moskës në vititn 2022./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala